S’janë gjë shqiptarët.

Nga Frrok Çupi

Po të mos kishin këtë mbresë, të huajt nuk do t’i nisnin turbullirat e botës duke përdorur shqiptarët të parët… Mirëpo ata, edhe pse të pa mbledhur në një dhomë ‘kongresi’, i bënë njëri tjetrit me vetull e me sy: “E nisim nga këta… se shqiptarët s’janë gjë”…

Kështu nisi ideja dhe tani praktika për ndarjen e Kosovës. Thuajse është bërë realitet; Kosova territoriale nuk do të jetë më ajo që u shpall në shkurt të vitit 2008. Kosova nuk do të jetë më kjo që është as si Kosovë politike…, pastaj as si Kosovë demografike…, as si Kosovë etnografike…. S’janë gjë shqiptarët, prandaj po ndodh kjo.

Nëpër kryeqytetet e Europës qesin pushkë, zhurmojnë nëpër trena, hallakasin qetësinë e natës në mes të mexhlisit, thërrasin “jam shqiptar, për nder të shqiptarit”…. Por shqiptarët s’janë gjë. Këta ‘ndërkombëtarët’ që po ua ndajnë tokat e Kosovës, më parë ua kanë matur pulsin ‘shqiptarëve për nder të shqiptarit’ tek po tollovisnin metrotë e Brukselit; kur e kanë kuptuar se ‘nuk janë gjë’.

Jo vetëm pse Serbia po merr ca copa toke kosovare dhe po i bën të vetat… Por sepse Brukseli ka nxjerrë nga arkiva, jo të shtënat e shqiptarëve në Vaterlo e në Paris,… ka nxjerrë nga arkiva skemat se si ishte ndarë Shqipëria edhe më parë. E njëjta skemë: Në vitin 1924, kryeministri Ahmet Zogu i fali Shën Naunin kryeministrit serb Nikola Pashiç…, e pse?… Si sot Hashim Thaçi ia fal presidentit serb tokat e veriut të Kosovës, e pse?… Për ta mbajtur në pushtet, njësoj si Zogun në vitin 1924…

Nuk janë gjë shqiptarët!, për një gradë të falin kombin. Nëse vjen puna që një nga shqiptarët, më i forti në pushtet, ka qejf t’ia falë kombin dikujt, këta të tjerët nuk thonë gjë. Kësaj here njëri ka dashur t’i japë territorin e kombit dikujt tjetër (praktikisht është fqinji serb), dhe shqiptarët nuk janë aq gjë sa t’i thonë ‘ndal ore, të iku mendja!?”… Disa po thonë se ‘haj mo, dy katunde të vogla po i japim serbit”… Po çfarë është kjo, more?! Asnjë thërrime pluhuri nga toka e kombit nuk i jepet kujt… Këtë të drejtë s’e ka as Zoti i qiellit. Na e paska të drejtën një karabush mes shqiptarëve….  Po shqiptarët s’janë gjë.

Se shqiptarët nuk e çmojnë dhuratën e zotit. Atdheun ua ka dhënë zoti; dhe republikën e Kosovës ua dha një zot i Dytë. Po këta nuk mbrojnë dot as dhuratën ‘Kosovë’ që pas zotit në qiell, ua dhuroi Amerika. Sot ministri i Serbisë doli e shau Amerikën: “nuk të vjen turp ty që i prishe kufijtë Serbisë dhe krijove Kosovën”.  Thuajse me këto fjalë foli. Shqiptarët nuk dolën të mbrojnë ‘zotin’ e tyre përballë atij që e prozvaldi. Sa folklor ka nëpër hapësirë se ‘shqiptari e mbron mikun me jetë’… Po kot, shqiptarët s’janë gjë…

Jo vetëm pse Serbia po u merr ‘ca toka’… Se po preke tokën e kombit, e ke bërë kombin zero. Por me këtë rast, shqiptarët po përdoren për të nisur Luftën e Tretë. A nuk është luftë kjo që po ndodh? A nuk po fitojnë ‘kalamajt’ e Soros në BE, në Kosovë e Shqipëri, përballë sovranitetit të kombit dhe përballë Shteteve të Bashkuara e përballë sovranistëve në botë?… Të shikojmë kur do të mbarojë kjo luftë. Por me ndarjen e Kosovës nis të shthuret ‘fanella’ e leshtë e Ballkanit…, pastaj e Lindjes…, pastaj e Prusisë…, pastaj e Persisë… Në fillesa do të mbahen mend shqiptarët, ‘shqiptarët s’janë gjë’ dhe prandaj ndodhi- do të thuhet…

Do të ndodhë që do të prishet Maqedonia e do të marrë lumi Greqinë dhe Bullgarinë… Do të prishet Bosnje- Hercegovina, Republika Srpska do të ikë për gjithë natën,  dhe do të shembet prapë “Ura e Monstarit’, dmth., paqja njerëzore… Hungaria do të shtrijë dorën në Serbi, Krajina do të kërkojë largimin nga Kroacia dhe bashkimin me Serbi…, Turqia do të hyjë nga Qipro deri në Dubrovnik….

… Atëherë na ishte ‘një katund shqiptar’ që e morën kollaj; dhe na ishte një karafillak shqiptar president që fali teshat dhe e la kombin lakuriq… Atëherë, jo vetëm kaq, por ‘shqiptarët s’janë gjë’. Duhet ta dimë e të mos mashtroojmë veten.