PD: Prokuroria nuk heton 129 zyrtarët e kallëzuar nga KLSH

Partia Demokratike, përmes deputetes Dhuarta Çupi ka akuzuar sot prokurorinë e cila nuk po heton zyrtarët e korruptuar pavarësisht se Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kallëzuar penalisht 129 zyrtarë. Gjatë një deklarate për mediat, Çupi evidentoi abuzimin në vlerën e 19 milionë eurove vetëm përsa i përket pronës publike duke akuzuar për këtë Kryeministrin Rama. Ajo risolli në vëmendje raportin e fundit të KLSH në të cilin thuhet se në total “vitin e shkuar qeveria e Edi Ramës i shkaktoi shtetit dhe shqiptarëve një dëm prej 923 milionë eurosh”.

Deklarata e plotë e deputetet Dhurata Çupi

19 milionë euro dëm me pronën publike ka shkaktuar Edi Rama për interesat mafioze e korruptive. Prokuroria nuk heton qeveritarët e korruptuar, KLSH kallëzoi 129 zyrtarë. PD do të analizojë dhe hetojë çdo pronë publike të vjedhur, askush nuk do e gëzojë

Kontrolli i Lartë i Shtetit raportoi se fundmi se vitin e shkuar qeveria e Edi Ramës i shkaktoi shtetit dhe shqiptarëve një dëm prej 923 milionë eurosh. Përveç abuzimit skandaloz me koncesionet, një nga rekordet e kësaj qeverie është korrupsioni me pronën publike. Me një dëm prej 19 milionë eurosh, qeveria e Edi Ramës është sjellë si pushtuese me pronën publike, duke e dhënë atë apo tjetërsuar sipas interesave të saj mafioze, korruptive dhe klienteliste.

Kur erdhi në pushtet 5 vjet më parë, kjo qeveri gjeti inventarin e çdo prone publike të Republikës së Shqipërisë, në nivel qendror dhe lokal. Por, në vend që ky inventar të shërbente për të mirën publike për të gjeneruar të ardhura apo për t’u përdorur si fond kompensimi për pronarët, pronat publike janë përdorur për të pasuruar miqtë dhe klientët e Edi Ramës. Dikujt i është dhënë me koncension, dikujt tjetër me qera 90 vite. Rasti më flagrant i korrupsionit me pronën publike është ai i Qendrës Historike të Tiranës, ku të paktën 2100 metra katrorë tokë publike dhe e Bashkisë së Tiranës i falet një privati, që të pastrojë paratë e kryeministrit duke ndërtuar kulla, në kundërshtim me Kushtetutën dhe në mohim të kompetencave të Këshillit Bashkiak për tjetërsimin e pronës.

Për vitin 2017 Kontrolli i Lartë i Shtetit ka depozituar në prokurori kallëzime penale për 129 persona në pushtetin qëndror dhe lokal, por, fatkeqësisht, nga prokuroria nuk ka asnjë raportim sa nga zyrtarët e qeverisë ka çuar para gjykatës për shpërdorim detyre dhe abuzim me pronat, duke i tjetërsuar ato në shkelje të ligjit, pa transparencë dhe pa garë të drejtë e të barabartë: Partia Demokratike është e angazhuar për të kryer një hetim dhe analizë të plotë të çdo prone publike të vjedhur e grabitur këto 5 vite.

Askush nuk do të gëzojë një pronë publike të marrë me korrupsion, në kundërshtim me ligjin. Ne angazhohemi për të krijuar një regjistër të plotë elektronik të pronës publike që do të vihet në shërbim të kompensimit të pronarëve të ligjshëm dhe në shërbim të së mirës publike. ?