Ekzekutohet 53-vjeçari, kunat i Lul Kullës. Pistat ku po heton policia

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit, ku një person është qëlluar për vdekje me armë zjarri tek ish-Poçeria në lagjen Kiras. Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit, ku viktimë ka mbetur shtetasi i identifikuar si Fatbardh Lici, 53-vjeç. Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë forcat policore të cilat kanë filluar hetimet për shkaqet e ngjarjes.

Viktima është vëllai i Mustafa Licit, kryetar i partisë ‘Mendimi i Djathtë Liberal’, njëherazi edhe anëtar i Këshillit Bashkiak të Shkodrës dhe kunati i Lul Kullës, i njohur si “i forti” i Shkodrës.

Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë forcat policore, të cilat kanë filluar hetimet për shkaqet e ngjarjes, ndërsa në fshatin Dobraç është gjetur duke u djegur një mjet tip Benz i cili dyshohet se ka lidhje me ngjarjen dhe me autorin e krimit.

Dyshimet

Fatbardh Lici, dyshohet se në vitin 2014 ka qenë i përfshirë në vrasjen e Astrit Kurmemajt, i dënuar me 25 vite burg për disa vrasje. Ai u vra në hyrje të Rrogozhinës, gjatë periudhës që mori 3 ditë leje nga burgu i Shën Kollit ku vuante dënimin, dhe teksa kthehej për në institucionin e vuajtjes së dënimit.

Kurmemaj, i njohur edhe me mbiemrin Gjipali, ishte i njohur për shpëtimin nga operacionet për arrestimin e tij pasi maskohej në perfeksion dhe arrinte të kalonte gardhin e policisë edhe kur këto ishin njësitë speciale.

Megjithatë nuk përjashtohet mundësia që vrasja e Licit të ketë lidhje edhe me ngjarjet e fundit kriminale të ndodhura kohët e fundit në qytetin e Shkodrës.

Njoftimi i policisë:

Shkodër

Informacion Paraprak

Me 10.08.2018 rreth orës 07:15 jemi njoftuar se në lagjen Guerile, Shkodër, është vrarë me armë zjarri shtetasi F. L. 53 vjeç, banues në lagjen Guerile Shkodër.

Menjëhere kanë shkuar forca të shumta të policisë dhe janë ngritur pika kontrolli ku po behet dhe krehja e zones për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve

Gjithashtu në fshatin Dobraç është gjetur duke u djegur një mjet tip Benz i cili dyshohet se ka lidhje me ngjarjen.

Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë se Rrethit Shkodër për sqarimin e rrethanave të kësaj ngjarje dhe zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje