Bonucci: Ika i inatosur, u riktheva te Juvja sepse këtu fitohet

“Jam rikthyer te Juventus sepse më mungonte shtëpia, ashtu siç shkrova edhe në rrjetet sociale, që pas çdo udhëtimi kthehesh në shtëpi”. Kështu Leonardo Bonucci ka shpjeguar në konferencë për shtyp zgjedhjet për largimin nga Milani pas një sezoni, për t’u bashkuar sërish me bardhezinjtë. Mbrojtësi ka deklaruar para gazetarëve se kishte ikur i inatosur nga Torino, por ishte kthyer pasi kishte lënë zemrën aty dhe se nuk kishte më asnjë keqkuptim mes tij dhe Allegrit.

“Raporti me Allegrin është diçka që ndodh gjatë një viti futbollistik. Ne jemi sqaruar, kemi shtrënguar duart dhe përqafuar si në raste të tjera. Në Londër, kur takova trajnerin, i kam kushtuar atë çmim pasi falë tij jam përmirësuar. Kur u largova, ishte fryt i inatit, por pata fatin që u ktheva falë presidentit Agnelli. Mora atë vendim në atë moment pasi nuk ndjehesha në rehati, nuk ndjeja se isha në vendin e duhur, se mund të isha vetvetja në atë periudhë. Desha të bëja një ndryshim dhe mendova se ai ndryshim mund të më jepte diçka më shumë. Por gjatë sezonit gjërat shkuan ndryshe, lashë zemrën këtu në Torino, familja vazhdoi këtu, lashë shtëpinë ku jetova çdo ditë. Ndaj bëra një hap mbrapa dhe pavarësisht kërkesave të shumta që kisha nga skuadra të tjera, dëshira ime e vetme ishte të kthehesha të Juventusi. E kuptoj reagimin e tifozëve, vërshëllimat dhe protestat dhe e pres të njëjtën gjë edhe nga kundërshtarët, është detyra ime t’i bind për të kundërtën.

A do kërkoj falje ndaj tifozëve? Mendoj se çdo gjë duhet të ndodhë në fushë, jam profesionist dhe duhet të vendos objektivat dhe dëshirat e Juventusit para të miave. Sot, me 10 gusht, nëse do të më ofronin të largohesha nga Juventusi, do të refuzoja. Gjatë vitit të fundit kisha kohë të mësoja se Juventusi është gjithçka për mua, për vitet që kam qenë këtu. E dija në zemrën time që një ditë do të kthehesha dhe pas një viti u bë realitet. Sot është fillimi i një aventure të re.

Juventusi më i fortë? Të kesh Cristiano Ronaldon në skuadër është një avantazh. Nëse tani do të përballemi me Real Madrid, nuk do ta nisim ndeshjen 1-0 për ta. Të stërvitesh me të, do të thotë që të ngresh nivelin, do të jemi gati për t;u përgatitur për ndeshjet e fundit dhe për ata në Champions. Konkurrenca na stimulon, duhet të japim gjithmonë më të mirën,”, deklaroi Bonucci.