“Diga” që hapi Thaçi do mbys Kosovën, por përmbyt edhe Europën

-Kërkesa e presidentit kosovar vjen në momentin më të keq për kosovarët, pasi BE është e përçarë, marrëdhëniet BE-SHBA në pikën kritike dhe kur Rusia po avancon në Ballkanin Perendimor.

-Pazari Thaçi-Vuçiç ka dyshime se është në kurriz të Kosovës, pasi kosovarët do të humbin Trepçën, Liqenin e Ujmanit etj, pasuri ndërkohë që vetëm qyteza e Preshevës do të kalojë në Kosovë, ndërsa 2/3 e Preshevës mbetet përjetë në Serbi.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka prezantuar këto ditë një ide personale për marrëveshjen me Serbinë, e cila që tani rrezikon të përdoret në dëm të shqiptarëve, si dhe mund të sjellë pasoja të paimagjinueshme në Ballkan dhe Europë. Ish-drejtuesi i UÇK që luftoi me NATO dhe SHBA për çdo centimetër të territorit të Kosovës, sot thotë se mund të arrijë t’a bindë me dialog Beogradin që të njohin jo vetëm pavarësinë e Kosovës, por edhe t’i marrë një tjetër territor Serbisë. Thaçi, deri më tani, nuk e thotë sesi serbët që bën gjithë luftërat e Ballkanit do të pranojnë të dorëzohen pa kushte, por shton se Kosova do të ketë pjesë të saj Preshevën, Medvegjën dhe Bujanovcin. Këto tre komuna shqiptare në Serbi njihen si një territor i përbashkët, me emrin Lugina e Preshevës dhe vitet e fundit në media si Kosova Lindore. Territori i tyre historik, që para se të kalonin në administrimin e ish-Jugosllavisë në vitin 1945, është 1264 kilometra katrorë. Në qëndrimet e tij, Thaçi asnjëherë nuk flet për Luginën e Preshevës si tërësi territoriale, por vetëm për emra të veçantë të qytetareve kryesore. Këtu shtohen dilemat për atë që ka diskutuar Thaçi me presidentin serb Aleksandër Vuçiç në Bruksel. Është folur për Luginën me 1264 km2 apo vetëm për pjesë të saja të veçanta? Në deklaratat e pakta kur presidenti i Kosovës ka folur me shifra është ajo ku flet për 400 kilometra katror që i merren Serbisë. Natyrshëm lind pyetja po me 864 km2 të tjerë që janë të banuara nga shqiptarë në territorin e Serbisë në Luginë, çfarë do të bëhet? Nëse Thaçi quan marrëveshje marrjen e 1/3 tretës së territorit shqiptar në Serbi, kjo nuk është zgjidhje. Pasi shumica e shqiptarëve do të mbeten sërish në Serbi, por këtë herë përjetësisht dhe nuk do të kenë as atë minimum të drejtash që kanë sot. Asimilimi do jetë përjetsisht. Ata që mbeten do të detyrohen të emigrojnë ose asimilohen me dhunë, por këtë herë nuk do të kenë të drejtë as të ankohen, pasi marrëveshja finale është bërë. Ndërkohë dilema tjetër e madhe është çfarë ka premtuar Thaçi në këmbim. Serbët e ardhur në Kosovë janë grumbulluar këto vite në zonat me të pasura natyrore të Kosovës, kryesisht në ato që njihen sot si komuna serbe. Jo rastësisht Serbia thotë se nuk heq dorë nga Trepçia, miniera më e pasur e rajonit dhe Liqeni i Ujmanit, hidrocentrali i të cilit ndikon direkt në energjinë e Kosovës. Në të gjithë deklaratat e Vuçiç dhe zyrtarëve serbë thuhet se nga këto zona nuk heqin dorë, jo vetëm për arsye të pakicës serbe, por edhe burimeve ekonomike. Logjika e çdo negociate është që secila palë lëshon diçka. Nëse serbët paskan pranuar të lëshojnë çerekun e Luginës së Preshevës, po Thaçi çfarë ka pranuar në Bruksel? Mbajta ende e bllokuar e Liqenit të Ujamanit nga Serbia dhe zonës së Trepçës është prova se në tavolinë presidenti i Kosovës po diskuton marrëveshjen me të dëmshme për kombin shqiptarë. Sigurisht, askush nuk thotë se Lugina e Preshevës nuk duhet të jetë e shtetit të Kosovës, por me çfarë çmimi po paguhet? Cilën pjesë përlan Serbia në këmbim? A është vetëm qyteza e Preshevës më pak fshatra apo krejt zona shqiptare kalon në Kosovë?
Këto dhe shumë pyetje presidenti Thaçi nuk i ka sqaruar. Ai thotë se ka një plan B, por ai duhet publik, pasi toka e shqiptarëve nuk është pronë e asnjë shtetari momental në Kosovë. As në Shqipëri.
Teza e Hashim Thaçi, nga ajo çfarë ka është prezantuar deri tani, është e rrezikshme jo vetëm për shqiptarët, por për gjithë rajonin. Presidenti i Kosovës me idetë e tij që duket se nuk janë konsultuar me faktorët në Prishtinë dhe as në Tiranë, rrezikon të hapë një precedent me efekte shkatërruese për Ballkanin. Pra ta çojë në luftë. Parimi i këmbimit të territoreve në bazë të etnisë mund të hap një seri konfliktesh që nuk mbarojnë kurrë. Serbia po e pret me qetësi ofertën e Thaçit, sepse në këtë mënyrë u ka lënë në dorë shqiptarëve hapjen e lojës me kufinjtë. Më pas, janë serbët ata që me idenë e Thaçit do të kërkojnë dhe “korrigjimin e kufijve” në Bosnjë. Jo rastësisht, liderët e serbëve të Bosnjës ishin të parët që e përshëndetën tezën e presidentit të Kosovës. Serbët kanë ngritur enklava në jo pak shtete ku u ndanë me luftë në vitet ’90 dhe sërish ideja “brilante” e Thaçit do të përdoret si precedentë për rikrijimin e Serbisë së Madhe. Por në Ballkan probleme nuk kanë vetëm serbët me shqiptarët apo anasjelltas. Mënyra e “dialogut” që propozon Thaçi do të merret dhe si model në raportet e mes Greqisë dhe Maqedonisë, për të vijuar me tej me Bullgarinë dhe Maqedoninë. Ndërkohë, Rusia, Ukraina, Moldavia etj, presin vetëm një precedentë ndërkombëtarë për të vijuar me sherret e vjetra. Në Ballkan mjafton që të hapet kjo lojë dhe harta që kanë sot shtetet mund të ndryshojë rrënjësisht. Ajo që propozon Thaçi është njëlloj si efekti i një goditje apokaliptike që do të përmbysë gjithë rajonin. Mjafton që diku të nis dhe më pas nuk ka asnjë forcë që ta ndalë. Një marrëveshje personale mes Thaçit dhe Vuçiç, siç është prezantuar tani, mund të sjellë vetëm efekte pozitive personale për Thaçin, por shqiptarët dhe serbët sërish do të kenë çështje të pambyllura. Ndërsa për Ballkanin dhe Europën është njëlloj sikur të hapet diga e përmbytjeve, ku lufta do jetë zgjidhja e mëvonshme.
Në fakt serbët nuk e mendon askush se mund t’ua hedhë Hashim Thaçi. Ata dhe vetëm ata, pra serbët me anë të Vuçiç, e dijnë se çfarë do marrin nga Kosova në këmbim. Populli nuk di asgjë, por është mikluar se “ do të marrim Preshevën” ndërkohë që nuk dihet cila pjesa e Preshevës do futet në shtetin Kosovar, nuk ka asnjë informacion se çdo bëhet me minierat marramendëse të Trepçsë dhe liqenin e Ujmanit.
Pra Hashim Thaçi hapi “digën” dhe vetë rri e kundron nga lart e larg ujin që merr përpara troje, histori, shqiptarë dhe ku serbët fërkojnë duart nga e njëjta lartësi me presidentin Kosovar.
Kërkesa e presidentit kosovar vjen në momentin më të keq për kosovarët, pasi BE është e përçarë, marrëdhëniet BE-SHBA në pikën kritike dhe kur Rusia po avancon në Ballkanin Perendimor

Q.Xhani