70% e rinisë kërkon largimin, Gjosha: Qeveria zero investim

Pas raportit se 70% e të rinjëve në Shqipëri kërkojnë të largohen nga vendi, reagon ish-ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha. Në një status në facebook, deputetja e LSI-së, shkruan se të rinjtë e kanë humbur shpresën.

Përballë këtij realiteti, Gjosha thotë se qeveria refuzon të zbatojë Planin Kombëtar të rinisë edhe pse është në dijeni për këtë situatë. ”Deri në fund të vitit 2017, Qeveria nuk shpenzoi asnjë lek për zbatimin e Planit të Veprimit për Rininë. Rrjeti Kombëtar për të Rinjtë në Shqipëri konstaton gjithashtu se qeveria ka dedikuar vetëm 0.01% të buxhetit të shtetit për të rinjtë, për rreth 35% të popullsisë në Shqipëri”,shkruan Gjosha.

Duke e cilësuar si alarm këtë raport, ish-ministrja e Integrimit shton se: ”Nëse 70% e të rinjve kërkon të largohet, nëse profesionistët dhe shtresa e mesme kërkon të largohet, imagjinoni se si do të ishte Shqipëria e së ardhmes. E nëse kjo nuk quhet emergjencë kombëtare realisht nuk di se çfarë do të ishte më alarmante se kaq”.

Postimi i plotë

Sondazhi i fundit i CRCA në Shqipëri dhe Rrjetit Kombëtar për të rinjtë në Shqipëri, tregon për një situatë alarmante, ku 70% e të rinjve kërkojnë të largohen nga Shqipëria për të jetuar në një nga vendet e BE-së.

Të dhënat e zbuluara nga sondazhi tregojnë se të rinjtë kanë humbur shpresën. Ata përballen me mungesa të mundësive, politikave sociale dhe ekonomike dhe mospërfillje të tyre nga institucionet vendimmarrëse për çështjet e punësimit dhe zhvillimit, që ndikojnë në jetën e tyre.

Dhe ajo çka të trondit më shumë është fakti se edhe pse qeveria është në dijeni të këtij fakti ajo refuzon paturpësisht të zbatoj Planin Kombëtar të rinisë që e ka detyrim ligjor t’i përgjigjet çdo pike të saj me përpikmëri. Deri në fund të vitit 2017, Qeveria nuk shpenzoi asnjë lek për zbatimin e Planit të Veprimit për Rininë. Rrjeti Kombëtar për të Rinjtë në Shqipëri konstaton gjithashtu se qeveria ka dedikuar vetëm 0.01% të buxhetit të shtetit për të rinjtë, për rreth 35% të popullsisë në Shqipëri.

Nëse 70% e të rinjve kërkon të largohet, nëse profesionistët dhe shtresa e mesme kërkon të largohet, imagjinoni se si do të ishte Shqipëria e së ardhmes. E nëse kjo nuk quhet emergjencë kombëtare realisht nuk di se çfarë do të ishte më alarmante se kaq!

Asgjë nuk ka vlerë më shumë se shpresa dhe ëndrra e rinisë. Fundja e ardhmja varet nga energjia, puna dhe kontributi i tyre. Me këtë qeveri dhe me këto ritme duket se edhe mosha e tretë do të kërkoj largimin nga Shqipëria! Nevoja për politika punësimi dhe arsim cilësor është domosdoshmëri por mbi të gjitha është detyrim dhe përgjegjësi e çdo qeverie!

/Koha Jonë/