Vizita në Tiranë/ Shoqata e Autoshkollave të BE, projekt bashkëpunimi me Shoqatën Shqiptare

Kreu i Shoqatës së Autoshkollave Shqiptare “Siguria në Rrugë” dhe administrator i autoshkollave “LAZE”, Behar Laze: Aplikojmë modelet më të mira të BE për përgatitjen e drejtuesve të mjeteve

Shoqata e Autoshkollave Shqiptare “Siguria në Rrugë” priti këto ditë në Tiranë përfaqësues të Shoqatës Europiane të Autoshkollave (EFA). Delegacioni i EFA drejtohej nga zëvendëspresidenti i saj, Manuel Picardi. Kreu i Shoqatës së Autoshkollave Shqiptare, Behar Laze e cilësoi këtë vizitë si një dëshmi të bashkëpunimit me institucionet më të mira në BE, të cilat operojnë në fushën e certifikimit të drejtuesve të mjeteve.

Gjatë qëndrimit në Tiranë, drejtuesit e Shoqatës Europiane zhvilluan takime me drejtues të institucionet shtetërore, përfaqësues të shoqatës shqiptare dhe disa nga kompanitë kryesore që operojnë në fushën e përgatitjes teorike dhe praktike të drejtuesve të rinj.

Përfaqësuesit e dy shoqatave, shqiptare dhe asaj europiane, u pritën në takim nga Drejtori i Transportit Rrugore në Tiranë, Arnis Hoxha. Në këtë takim, shoqatat folën për praktikën europiane të marrëdhënieve me institucionet shtetërore. Përfaqësuesit e Shoqatës Europiane folën për problemet që lidhen me periudhat e përgatitjes së kursantëve në nivelin praktik dhe teorik. Gjithashtu, në takim u fol dhe për kualifikimin e komisionerëve.

Përfaqësuesi i Shoqatës së Autoshkollave Europiane vuri theksin te nevoja e përgjithësimit të procedurave në gjithë vendet e BE. Ai tha se direktiva e ardhshme e BE do të fokusohet kryesisht të informimi i drejtuesve të mjeteve dhe ajo që duhet të kihet parasysh nga gjithë atuoshkollat është që një procedurë e tillë do të jetë e zbatueshme në nivel europian.

Në takimin me përfaqësuesit e institicioneve shtetërore, kreu i Shoqatës së Autoshkollave Shqiptare, Behar Laze theksoi dhe një herë kërkesën për shkurtimin e procedurave dhe veprimeve administrative për kursantët. Ai tha se regjistrimi online i kursantëve do të ishte hapi i parë në lehtësimin e procedurave. Gjithashtu, Laze tha se një hap tjetër do të ishte shkurtimi i veprimeve për administrative për marrjen e dy autorizimeve  teori-praktikë dhe njohjen e marrjes së provimit teorik edhe kur nuk arrihet të merret provimi praktik në regjistrimin e parë.

Përfaqësuesit e institucioneve shprehën gatishmërinë për përmirësimin e kuadrit rregullator duke e përshtatur totalisht legjislacionin shqiptar me atë të vendeve të Bashkimit Europian.

Përfaqësuesit e EFA vizituan dhe kabinetet ku jepen provimet teorike për marrjen e lejes së drejtimit, si dhe u njohën nga afër me procedurat që ndiqen nga institucionet shqiptare.

Gjithashtu ata zhvilluan një takim dhe me Zëvendësdrejtorin e Përgjithshëm të Transportit në Tiranë, Shkëlqim Gruda. Zv/drejtori informoi se nga viti 2017 kanë nisur pajisja e qytetarëve me lejedrejtimi sipas direktivave të Bashkimit Europian dhe nëpërmjet ministrisë për Europën dokumentet u janë dërguar të gjitha shteteve, për të mundësuar në të ardhmen njohjen reciproke të lejeve të drejtimit.

Në vizitën e tyre në Tiranë, përfaqësuesit e Shoqatës Europiane të Autoshkollave (EFA) u pritën edhe nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Rrugore, Mithat Tola. Kreu i Policisë Rrugore theksoi se falë bashkëpunimit me Shoqatën e Autoshkollave Shqiptare është bërë e mundur që të ndryshojë mentaliteti i drejtuesve të mjeteve dhe të rritet siguria në rrugë.

Drejtuesit e EFA ishin dhe në ambientet e një autoshkollës “LAZE”, një nga më të njohura në Tiranë, ku vlerësuan kushtet ku jepen leksionet, si dhe përgatitjen e lartë të stafit.

Në takimet mes EFA dhe Shoqatës së Autoshkollave Shqiptare u ra dakord për hartimin e një projekti të përbashkët për trajtimin e instruktorëve shqiptarë me praktikat më të fundit të standardeve europiane.

Përfaqësuesit e Shoqatës së Autoshkollave Europiane në Tiranë
Takimi me Drejtorin e Policisë Rrugorë, Mithat Tola