Vasili: Integriteti territorial dhe bashkejetesa etnike janë baza dhe jo objekti i dialogut të Kosovës me Serbinë

Kreu i grupit parlamentar të LSI-së: Thaçi pati tendencë për të ngritur debat, por duhet të shmangë nervozizmin në këto debate

Kreu i grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili thotë se Presidenti Hashim Thaçi, me propozim për korrigjim të kufijve të Kosovës me Serbinë, ka patur tendencën që të krijojë debat publik. I ftuar në rubrikën “Opinion” në “News24”, Vasili tha se Kosova nuk mund të humbasë më asgjë, ndërsa theksoi se tashmë vendet e tjera duhet të njohin pavarësinë e saj. Kreu i deputetëve të LSI-së e ka cilësuar konstruktive deklaratën e Departamentit Amerikan të Shtetit lidhur me zërat për një rishikim të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë. Ai tha se nëse Presidenti i Kosovës ka propozime të tjera, duhet t’i shprehë në mënyrë që të krijohet një ide më e qartë për këtë çështje. Duke u ndalur tek debati Thaçi-Berisha, ai tha se Berisha ka qenë një aktor politik me rol të rëndësishëm në pluralizmin jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë.

“Çdo nervozizëm në këto debate, dhe batutat e pakontrolluara mirë dhe emocionale, nuk janë mirë as për Kosovën e as për Shqipërinë”- tha Petrit Vasili.

Intervista

Si i shihni deklaratat e Thaçit?

Absolutisht që çdo gjë që ndodh në Kosovë apo që artikulohet politikisht në Kosovë ndiqet me interesim dhe me merak pasi për ne raporti me Kosovën është një raport edhe gjaku dhe vital edhe historik, pra ne kemi thënë vazhdimisht që jemi shqiptar që rastësisht kemi dhe një kufij në mes. Pra natyrshëm si një çështje mes vëllezërish dhe interesimi është maksimal. Natyrshëm dhe raporti apo komunikimi me Serbinë I cili ka qenë brenga e vjetër, halli i vjetër, problemi i vjetër, problemi i ri. Pasi Serbia sot është një problem i madh në këto çështje. Ashtu si dhe natyrshëm çdo gjë që lidhet me këtë komunikim politik, negocim, bashkëpunim është në vëmendjen tonë. Sigurisht që deklaratat e z. Thaçi që të jemi korrekt kanë një aspekt të fortë deklarativ. Përgjithësisht janë të varfra nga elementet konkrete  të një marrëveshje të mundshme apo të një negocimi me momentet e tij të qarta. Kështu që në fund të fundit z. Thaçi më tepër ka pasur orientimin dhe tendencën të ngrejë një debat. Në pikëpamjen time ai do të vështrojë dhe si reagon opinioni  publik në Kosovë pasi kemi të bëjmë me një opinion publik shumë të ndjeshëm. Lidhur me çështjen me Serbinë besoj që ka një diferencë të rëndësishme mes opinionit në Shqipëri dhe Kosovë për sa i përket ndjeshmërisë pasi duhet të jemi shumë të qartë në këtë çështje. Populli i Kosovës është përballur për një periudhë dhjetëra vjeçare me Serbinë përballë që ka kulmuar deri në genocid dhe ka gjithmonë një vigjilencë gjenetike për këtë marrëdhënie shumë delikate. E cila ka prodhuar në shumë momente të historisë, momente shumë të dhimbshme por dhe të përgjakshme. Kështu që Presidenti i Kosovës duhet të kuptojë që përveç asaj që ai nuk e thotë se sigurisht në politikë ka një pjesë që është e dukshme dhe një pjesë të padukshme. Unë nuk dua të besoj që pjesa e dukshme është vetëm maja e ajsbergut që është 1/7 dhe 6/7 janë poshtë. Për të qenë korrekt, në fund të fundit ne duam vetëm të mirën e Kosovës. Të gjithë në Shqipëri me politikën shqiptare janë të interesuar që dialogu Serbi-Kosovë mos të ndalet në asnjë rast pasi ka të bëjë shumë me ardhmërinë europiane të Kosovës por dhe të Serbisë vetë e cila ka kusht të pakapërcyeshëm raportin me  Kosovën. Dhe së treti besoj që është shumë e rëndësishme të theksojmë që Kosova sot është në një moment në të cilin nuk ka mundësi historike dhe politike të humbasë dot më asgjë. Por ka mundësinë historike për të ecur përpara në drejtim të integrimit dhe të njohjes së saj.  Pasi mënyra sesi është ndërtuar Kosova, dy kolonat e themelet e saj i ka një konstatim kushtetues dhe real të saj të një bashkë-ekzistence mes etnive si në asnjë model tjetër europian. Dhe së dyti një integritet territorial i cili jo rastësisht si në asnjë simbolikë kombëtare të botës edhe etnitë ndodhen në flamur  dhe harta e Kosovës ndodhet në flamurin kombëtar të saj. Pra këto dy elemente të qenësishme janë shinat e mëdha nga të cilat Kosova nuk del dot, nuk humbet dot terren por janë dhe burimi i fuqisë dhe të qenurit të saj unike.

Në fakt deri ditën e sotme nuk është se kemi pasur reagime nga Tirana zyrtare, apo ndërkombëtarët. Sot mbërriti dhe reagimi nga DASH për këtë çështje. Është shprehur se duhet të bien në kompromis palët. Si e interpretoni ju këtë?

Deklarata e DASH-it, për mendimin tim, ishte konstruktive dhe besoj që lajtmotivi i saj ka qenë një dhe vetëm një. Dhe nuk besoj se duhet dikush të përpiqet mes rreshtave të gjejë kuptime të tjera. Pra thelbi ishte, dialogu Kosovë Serbi nuk duhet të ndalet. Dhe ky lajtmotiv që është i qartë në gjithë kontekstin është shumë i rëndësishëm. Pra do ishte shumë e gabuar dhe e dëmshme që ky dialog të ndërpritej, të rivendoseshim sërish në llogore dhe besoj që në këtë mes do kishte vetëm të humbur. Por ky dialog sigurisht ka disa vija të kuqe  të përcaktuara nga vetë Kosova  nga politika kosovare, nga parlamenti i Kosovës, nga populli i Kosovës me mënyrën si ka votuar. Të cilët janë, integriteti territorial dhe bashkëjetesa etnike. Që ka qenë dhe thelbi i pakos së Ahtisarit. Dhe ju e dini që dhe në deklaratën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës në pikën 8 theksohet saktësisht  që çështja e territoreve është sipas kapitullit  përkatës  në paketën e Ahtisarit. Kjo paketë e cila nuk u pranua nga Serbia, por dhe në Kosovë pati keqardhje, reagime etj. Kishte një vizion afatgjatë  shumë të rëndësishëm ku pozitiviteti lexohet sot. Pasi atë që u konceptua atëherë si lëshime shumë të mëdha të etnive që jetonin në Kosovë dhe që kjo tregonte zemërdhembje në Kosovë, përkundrazi  në dimensionin afatgjatë sot pas 10 vitesh, shikojmë që kjo bashkëjetesë është besoj pika e forcës, është ajo që i bën 119 vende ta njohin Kosovën. Dhe kjo bashkëjetesë brenda këtij integriteti territorial thotë qartë që në këtë territor që u krijua, me luftë pse jo, por e cila prodhoi një rezultat të drejtë. Prodhoi atë që Kosovës i ishte mohuar. Ju  e dini e drejta e vetëvendosjes së Kosovës ishte në deklaratën e Bujanit ku shumë të drejta u mohuan në rrugë e sipër nga ish-Jugosllavia. Dhe Kosova në mënyrën më të padrejtë në botë u trajtua ndryshe nga gjithë republikat e tjera. Këto të drejta rifitohen, Kosova ka të drejtën e mëvetësisë, të drejtën të ecë përpara, të njihet integriteti i saj territorial por ka dhe detyrimin e madh që raportin me etninë ta ketë special. Mund të thuhet shqip dhe pa e tepruar, etnitë në Kosovë trajtohen dhe kanë një balancë shoqërore politike përfaqësimi besoj për tu pasur zili besoj në shumë vende të tjera europiane. E njëjta gjë e cila nuk ndodh në të njëjtin dimension në Preshevë, Bujanovcë, Medvegjë që tregon dy standarde, një standard të lartë pozitiv dhe për tu marrë shembull nga Kosova dhe besoj një standard që duhet ta marrë shembull dhe Serbia për ta zbatuar në ato zona të cilat banohen nga shqiptarë. Dhe kjo është një garë në kuptimin e mirë të fjalës pozitive për të punuar për standardin më të lartë.

Si e shihni pozicionimin e z. Thaçi duke qenë se edhe vetë brenda partisë së Thaçit ka pasur kundërshtarë lidhur me korrigjimin e kufijve?

Do të jem i qartë dhe objektiv, për çfarë ndodh brenda politikës kosovare pasi pyetja juaj ka të bëjë dhe me elemente të politikës. Unë si politikan respektoj shumë dhe nuk dua të komentoj as atë që ndodhi brenda partive politike kosovare pasi secila parti ka mëvetësinë e saj të plotë. Natyrshëm këtu bëhet fjalë për një opinion publik të gjerë kosovar i cili ka në ADN e tij një vigjilencë mbi normalen për raportin me Serbinë. Pasi ka qenë një raport shumë i vështirë, i përgjakur që ka arritur deri në genocid. Natyrshëm dhe politikanët kosovarë kanë lindur nga ky mjedis kombëtar. Dhe sigurisht përballja në këtë rast me deklaratat e presidentit është një raport me opinionin publik kosovar. Dhe cila do ta bënte më pak konfliktuale. Se besoj ka një konflikt, këto i vret vetëm një dimension, transparenca. Pra në rast se Presidenti i Kosovës ka ende gjëra për të thënë është mirë ti thotë dhe më shumë akoma sepse kjo do ti shteronte dhe ndonjë dyshim të padrejtë. Transparenca e plotë i vret dhe sigurisht në tavolinën ku nëtë gjithë faktorët politikë në Kosovë japin veprimet e tyre dhe zbatimi i asaj rezolute që është miratuar në parlamentin e Kosovës, e cila ka mandatuar kush do ti udhëheqë negociatat në Kosovë. Pra ka një kuadër shumë të qartë edhe Kushtetues dhe politikë në Kosovë që i qartëson gjërat.

E gjithë kjo temë ka sjellë debate mes dy figurave politike, z. Thaçi dhe ish-kryeministrit Berisha. Si e shpjegoni ju debatin e lindur?

Në debatin e një presidenti dhe një ish-presidenti nuk dua të futem për një arsye shumë të thjeshtë. Një gjë është e qartë dhe e sigurt që veprimtarinë politike të njëri-tjetrit besoj të dy personazhet e njohin mirë. Z.Berisha është një lider politik i cili ka qenë një aktor me peshë të jashtëzakonshme në shumë procese që janë shënjuar jo vetëm në pluralizmin shqiptar por dhe në pluralizmin në Kosovë. Besoj e gjithë Shqipëria ka pasur një rol aktiv lidhur me çështjet kombëtare. Dhe në momentet delikate kur përvijoi në finalizimin e luftës së Kosovës. Dhe mendoj që çdo nervozizëm në këto debate  por dhe batutat e pakontrolluara mirë dhe emocionale nuk janë as në të mirë të Kosovës dhe as Shqipërisë dhe imazhit të shqiptarëve. Besoj që kemi njerëz që nuk e duan Kosovën, kemi njerëz që nuk e duan dhe Shqipërinë. Më mirë të ndeshemi me ta sesa të ndeshemi me njëri-tjetrin.