Panairi i librit në Durrës me 550 tituj të rinj

Shëtitorja Taulantia në Durrës do bashkojë pushuesit dhe adhuruesit e librit dhe të leximit në edicioni e tretë të Panairit Ndërkombëtar të Librit Shqip “Durrës Script”.
Ky aktivitet zhvillohet nga data 9 deri në 12 gusht dhe organizohet nga shoqata kulturore “Durana” dhe Bashkia e Durrësit. Në stendat e këtij panairi do të përfaqësohen 65 shtëpi botuese, që vijnë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Greqia, Italia, Anglia dhe risi për këtë vit është ardhja e përfaqësuesve të shtëpive botuese nga SHBA.
Rreth 60 mijë tituj librash do të jenë të pranishëm nëpër stenda, nga të cilat 550 janë tituj të rinj, të prodhuar enkas për këtë panair. Përfaqësues nga te gjitha trevat e vendet ku jetojnë shqiptarë, ku kultivohet, shkruhet e botohet fjala shqipe, shtëpi botuese qofshin, shoqata a botime individuale,vijnë në këtë panair të përbashkët.
Fakti që në këtë panair përfaqësohen pothuaj të gjitha vendet dhe trevat ku shkruhet e botohet fjala shqipe, duke filluar nga atdheu ynë dhe deri tek ngulimet e hershme e të vona shqiptare në botë, tregon se qëllimi është pikërisht përçimi i kësaj fjale, fjalës shqipe, krijimi i kontakteve sa më të mira me lexuesin e saj kudo që ndodhet, që në këto ditë kthehet të pushojë në Durrës.