Ekspozita “Unë jam shqiptar” udhëton drejt Kosovës

Ekspozita “Unë jam shqiptar” udhëton drejt Muzeut të Kosovës në kuadër të kalendarit të përbashkët kulturor Shqipëri-Kosovë dhe Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit Skënderbeut.

Kjo ekspozitë, ideuar dhe organizuar nga Ministri i Shtetit për Diasporën dhe Muzeu Historik Kombëtar në muajin dhjetor 2017, do të qëndrojë e hapur në datat 10 – 31 gusht 2018 në ambientet e Muzeut të Kosovës.

Në këtë ekspozitë përfshihen materiale fotografike mbi diasporën shqiptare ndër shekuj.
Ekspozita fillon në mënyrë kronologjike me fotografinë e Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriotit Skëndërbeut, si përfaqësues i epokës më të lavdishme të shqipëtarëve por dhe kohës kur filluan valët e para të emigrimit shqiptar.

Ekspozita përmban foto të arbëreshëve të parë me ngulimet e tyre në Italinë e Jugut, foto të arvanitasve dhe rilindësve shqiptarë.

Fotoja e emigrantit të parë në SHBA është moment i rëndësishëm në ekspozitë, duke vijuar më fotografi të shoqërive të para patriotike në Sofje, Bukuresht, Kajro, Stamboll e Vjenë.

Pjesa tjetër e ekspozitës, por jo më pak e rëndësishme, prezantohet nëpërmjet fotografive nga personalitetet e suksesshme shqiptarë në vendet e emigrimit të tyre.