Ankesa për vizat e lojtarëve, reagon klubi gjeorgjian: Fajin e ka Kukësi

Pas ankesës së Kukësit se Gjeorgjia nuk i ka dhënë viza disa lojtarëve të tyre për ndeshjen e “Europa League” kundër Torpedos, ka reaguar klubi gjeorgjian, duke hedhur poshtë pretendimet klubit të drejtuar nga Cungu.

Torpedo me anë të një deklarata shprehet se për vizat fajin e ka Kukësi. Sipas tyre klubi shqiptar nuk i kishte përfshirë në listë lojtarët të cilët kanë probleme. I vetmi që ka arritur të sigurojë vizën pas ankesës së Kukësit është Maloku.

Edhe ky sipas Torpedos do të kishte probleme pasi është me origjinë nga Kosova dhe Gjeorgjia nuk e njeh këtë vend, por pas ndërhyrjes së tyre është bërë e mundur që t’i bashkohet Kukësit.

Ndërkohë 3 futbollistët e tjetër Rexhinaldo, Maliqi dhe Ethemi do të jenë të padisponueshëm për ndeshjen që do luhet nesër. Ata nuk kanë arritur të marrin vizën pasi për sulmuesin mozambikas është problem ardhja e shumtë e qytetarëve nga vendi i tij, ndërsa për dy futbollistët maqedonas thuhet se nuk figuronin në listën që kishte dorëzuar Kukësi.

Torpedo pretendon se në këtë mënyrë Kukësi është përpjekur për të shtyrë ndeshjen, diçka të cilën klubi shqiptar e tha edhe në deklaratën për shtyp. Gjeorgjianët vijojnë duke thënë se kjo kërkesë u hodh poshtë nga UEFA, pasi ata kanë përmbushur të gjithë kërkesat e kësaj të fundit.

Torpedo e mbyll duke deklaruar se ‘ne i kemi marrë vizat tona dhe se do të shkojmë në Shqipëri’.