Vasili: Paprekshmëria e kufijve dhe bashkëjetesa mes etnive e bëjnë të fortë dhe unike Kosovën

Kreu i Grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, ka komentuar ditën e sotme në studion e Fax News edhe njëherë arsyet se përse nuk mund dhe nuk duhet të ketë ndryshim kufijsh mes Kosovës dhe Serbisë. Gjatë intervistës Vasili theksoi se paprekshmëria e kufijve dhe bashkëjetesa mes etnive e bëjnë më të fortë Kosovën.

Intervista e plotë:

Do doja një koment tuajin mbi çështjen e Kosovës, mbi këtë debat që harxhoi shumë energji por që duket që pak nga pak po fashitet  duke pare dhe reagimin kundër të politikës së Kosovës. Dhe një koment do doja dhe nga ju për këtë heshtje në Tiranë mbi këtë tezë.. 

Së pari mendoj që thelbi I debatit, mënyra e paraqitjes së tij dhe përmbajtja e tij e bën atë një debat pa diskutim shumë delikat, me shumë interpretime të dukshme dhe të padukshme dhe së treti e bën një debat për mendimin tim të gabuar  dhe në kohën e gabuar. Pasi Kosova ju e dini që pak kohë më parë mori një lajm të jashtëzakonshëm lidhur me liberalizimin e vizave që është një nga ngjarjet më të rëndësishme të saj. Dhe besoj që të gjithë energjitë politike, energjitë e ekzekutimit Kosovar por edhe të politikës kosovare në tërësi duhet të ishin të gjithë të përqëndruara në realizimin sa më shpejt. Vajti deri në fund të një rruge që ishte besoj një nga ankthet e mëdha të një Kosove e cila kishte shënuar arritje të mëdha por ndërkohë rezultonte e izoluar. Përsa i përket përmbajtjes së debatit, unë kam reaguar disa herë, sigurisht me shqetësim edhe politik edhe atdhetar po të doni. Edhe qytetar por besoj ky i fundit është një raport më i kufizuar në raport me dimensionin atdhetar i cili qëndron në mes. Por gjithmonë duke qenë shumë i kujdesshëm në arsyetimet e mia politike për tu përmbajtur thelbit institucional dhe parimor në të cilin Kosova ekziston sot. Thelbi parimor mbi të cilin ekziston Kosova sot dhe gjithçka e përbën atë që për ne shqiptarët është mrekullia kosovare pasi nuk mendoj se kemi pasur ëndërr më të madhe se të shihnim një Kosovë të pavarur. Se Kosova e pavarur ishte përgjigja më e fortë më e jashtëzakonshme kundër genocidit serb i cili shqetësoi një botë të tërë. Dhe e cila detyroi SHBA për një koalicion forcash ndërkombëtare të prirura nga SHBA dhe nga Anglia, mos ta harrojmë rolin e Anglisë në atë kohë. Të cilët ndërhyrën ushtarakisht për të vendosur një situatë dhe për të krijuar një model. Modelin e Republikës së Pavarur së Kosovës. Pra republika e pavarur e Kosovës lindi mbi kontributin e jashtëzakonshëm politik dhe ushtarak të ndërkombëtarëve, mbi një mobilizim të jashtëzakonshëm atdhetar, patriotik dhe ushtarak të ushtrisë çlirimitare të Kosovës. Dhe së treti besoj që shtylla tjetër pastaj e formësimit institucional me të gjitha detajet që i takonin dhe për tu përballuar dhe me betejën e madhe, njohjen ndërkombëtare atë që u quajt pako e Ahtisarit, e cila me fjalë të thjeshta ishte një marrëveshje e madhe politike dhe të gjitha kompromiset politike të domosdoshme për këtë çështje. Te kjo pikë e fundit unë do doja të ndalesha.

E keni përmendur pakon Ahtisari si kryefjalën e asaj që do ta shoshiste… 

E kam thënë këtë për një arsye shumë të thjeshtë. Pakteta Ahtisari, ka pasur mjaft momente që politika  kosovare në tërësi por dhe ne shqiptarët kemi pasur dhembjet tona. Do donim të mos ekzistonin shumë elemente të asaj marrëveshje, do donim të ishim shumë të qartë të prerë. Por ndërkombëtarët duke parë të ardhmen e Republikës së Kosovës, formuluan aty një model bashkëjetese  të jashtëzakonshëm, besoj nuk ka ngjarë, një model unik dhe në nivel botëror, me të gjithë atë që quheshin jo lëshime por të drejta të jashtëzakonshme, speciale atipike për komunitetet, në mënyrë të veçantë për komunitetin serb. Se një nga tre çështjet e mëdha është dhe trashëgimia kulturore dhe fetare shkruar atje përveç elementeve të tjera, veç asaj politike. Ju e dini që paketa e Ahtisarit ka dhe elemente të tilla që edhe për ndryshime të Kushtetutës, nuk duhen vetë 2/3 e parlamentit të Kosovës por edhe dhe 2/3 e përcaktuar për pakicën. Pra një rol të jashtëzakonshëm. Por çfarë shënoi kjo? Kjo shënoi që në bazë të kësaj marrëveshje mendjehapur i garantoi pikërisht Kosovës, dy element të jashtëzakonshëm në mënyrë atipike por dhe emblematike në flamurin e saj. Territori i Kosovës ndodhet në flamurin e Kosovës. Ju hartën e Kosovës e keni në flamurin e saj. Dhe 6 yjet janë simboli që kjo Republikë është një shembull mbarëbotëror i respektimit të të gjithë komuniteteve si asnjë tjetër. Dhe mbi këto dy elemente thelbësore  të një qasje të re sesi një çështje ndëretnike kaq e fortë e vetvendosjes mund të zgjidhet, është një model që është Kosova të cilën 119 vende siç patëm mundësi ta azhornonim qëparë, njohin Kosovën. Tani çështja e korrigjimit të kufijve, unë duhet të jem i sinqertë me shqiptarët kudo që ndodhen në Shqipëri dhe Kosovë, unë nuk jam nga ata që besojnë dot fjalën korrektim. Unë di shumë thjesht si çdo qytetar i thjeshtë shqiptar por dhe si çdo politikan që harta e Kosovës është atje në flamurin e Kosovës dhe çdo centimetër lëvizur asaj harte nuk është më e njëjta hartë, nuk është më e njëjta Kosovë që është njohur nga 119 vende. Dhe gjithçka e fituar me mbështetje dhe luftën ushtarake të ndërkombëtarëve dhe me gjakun e UÇK, me ndryshimin e qoftë dhe një milimetri është një çështje tjetër. Dhe ata që nuk janë miq të mirë të Kosovës, nëpër botë kemi miq të mirë dhe njërëz, opinione, komunitete, shtete që nuk na duan, do të jepnin një armë të jashtëzakonshme pasi shumë konflikte në botë, në rajon dhe më gjerë lidhen shumë me çështjen e kufijve. Dhe çdo element te kufijtë është delikat dhe precedenti Kosovës do të shfrytëzohej negativisht nga të tjerët por do ti binte në rradhë të parë në dëm të Kosovës. Në një proces kaq të rëndësishëm të europianizimit, liberalizimi i vizave, integrimi europian, integrimi në gjithë strukturat më të mëdha botërore etj, ky do ishte një moment i rikthimit nga fillimi dhe gjithë terreni i fituar me një mundim të jashtëzakonshëm, shumë njerëz kanë ndihmuar në procesin e njohjeve, vetëm nisur nga atdhedashuria nga njohjet e tyre shpeshherë jo vetë, politike por edhe personale, për të bërë gjithçka që Kosova të njihet sa më gjerë ndërkombëtarisht, ky proces do të rrënohej. Dhe në fund të ditës do ndodhte dhe një çështje e madhe, c’mund të negociohet më për kufijtë është një pyetje e madhe. Kufijtë janë negociuar, marrëveshja  e Ahtisarit  është miratuar dhe kufijtë e Kosovës janë atje. Detyra kush është? Që ky integritet territorial të mbrohet me çdo kusht dhe mbi të gjitha të qeveriset mirë. Të qeveriset me efiçencë të lartë, pa korrupsion, për të dhënë dhe një provë tjetër të opinionit ndërkombëtar dhe për të thënë bëtë shumë mirë që e ndihmuat Kosovën, që  i dhatë një përgjigje të tmerrshme genocidit serb pasi Kosova tashmë e mëvetësuar i ka të gjitha kapacitetet për tu bërë jo vetëm shembull i bashkëjetesës si e tillë por dhe shembull sesi lulëzon ekonomikisht dhe politikisht. Pra në këtë mënyrë u jepeshin shuplaka atyre që nuk janë miq të mirë të Kosovës, të jashtëm e të brendshëm qofshin ata. Dhe njëherazi jep dhe një model shumë të mirë mbarëbotëror sesi kjo sipërmarrje e jashtëzakonshme historike, ju e dini që çështja e Kosovës ka qenë në tavolinë dhe ajo duhet të vazhdojë të jetë atje për njohjet e mëtejshme dhe për konsolidimin pasi kolegët tuaj të Zërit të Amerikës jo më larg se një ditë më parë demonstruan me një reportazh nga Kosova sesi politika serbe vazhdonte të kishte një agresivitet të pashembullt  në pengimin e njohjes së Kosovës duke mobilizuar një makineri diplomatike formale dhe informale  të kësaj që i bënte një nga kundërshtarët kryesorë të këtij procesi. Me këtë kundërshtarë dhe armik të egër mund të diskutohet gjithçka jo vetëm integriteti i kufijve.

Z.Vasili kujtojmë 10 vjet më parë, pavarësia e Kosovës paralajmërohej në Shqipëri nga Presidenti Georg Bush duket që atëherë kanë rrjedhur shumë ujëra dhe ka një lloj distancimi nga ana e qëndrimit politik zyrtar qeveritar nga Tirana në raport me çështjen e Kosovës. Është shqetësues ky qëndrim i Tiranës ndaj çështjeve thelbësore delikate që diskutohen në Kosovë? 

Për mendimin tim ka një raport të ri në raport me 10 vjet më parë, Kosova sot është shumë më e pjekur dhe shumë solide në pikëpamjen institucionale pasi është një shtet dhe kjo është ngjarje e madhe.  I cili dhe nëpërmjet përplasjeve politike është rritur politikisht, është ndërgjegjësuar më shumë për rolin shumë të madh që ka në qeverisjen e vendit. Pra dhe liderat kosovarë me kalimin e viteve janë rritur për mendimin tim politikisht dhe kjo përcakton një rol të ri të shtetit amë siç është Shqipëria.

Një rol deri në heshtje?  

Vetë formimi i shtetit të Kosovës, dihet që ka pasur një prapavijë shumë të fortë në Shqipëri. Së bashku me Shqipërinë është përballuar kriza e jashtëzakonshme kosovare, pasi një nga elementet e genocidit ishte dhe zhdukja fizike e kosovarëve. Por dhe në pikëpamje të tjera në ofrimin e Shqipërisë si një vend i cili ka mbështetur në mënyrë të veçantë UÇK me të gjitha format dhe mënyrat. Pra ka qenë një Shqipëri shumë aktive ndaj kësaj çështje. Politika e jashtme shqiptare ka qenë në vijë të parë ndër vite për procesin e njohjes së Kosovës, me të gjitha mundësitë politike që ka pasur. Madje shpesh është kritikuar për të pasur një rol akoma më aktiv në këtë drejtim, pra e ka konsideruar aspiratën e Kosovës si aspiratë të vetes. Kështu çdo heshtje absolute është një raport surreal. Nuk po flasim se çndodh në Bruksel apo në një shtet tjetër. Bëhet fjalë për një vend ku jetojmë ne, ku janë shqiptarët.  Dhe nëse do të ndodhte diçka jo pozitive në Kosovë sigurisht do të jetë shqetësim. Nuk ka pse të jetë një shqetësim ofensiv nga ana e  Shqipërisë, agresiv pra që ne të imponojmë por mendimi ynë e ndihmon përparimin e mendimit politik kosovar. Mirë apo keq politika pluraliste shqiptare ka një moshë më të madhe sesa ajo kosovare. Edhe shumë politikanë shqiptarë kanë qenë fillestarë në fillim të viteve 90, tani pas 30 viteve ka një klasë tjetër politike megjithë të mirat e saj. Dhe çdo mendim i kualifikuar jo vetëm politik por edhe profesional dhe historik, juridik, ndihmon për kthjellimin e çdo lloj reje të paqartë që rri mbi qiellin e Kosovës. Kështu që nuk besoj që heshtja, indiferenca nganjëherë dhe përkujdesja e sëmurë mund ta ndihmonte Kosovën. Kosovarët janë të parët por të dytëve që iu dhëmb padyshim për Kosovën janë shqiptarët.

Besoni që tani është zbehur, ka rënë poshtë propozimi i z.Thaçi njëherë e mirë për korrigjimin e kufijve të Kosovës apo i druheni një riaktivizimi të kësaj ideje me rifillimin e negociatave ndërmjet Serbisë dhe Kosovës? Dhe një koment nëse ia lejoni vetes për qëndrimin e fundit që pati z.Thaçi pas deklaratës së z.Berisha i cili e rrëzoi kategorikisht dhe ishte kundër idesë së z.Thaçi… 

Nuk dua ta komentoj këtë të fundit pasi ju keni përcjellë vetë një deklaratë të z.Thaçi i cili tha që gjithçka që tha lidhur me kontrabandën me Malin e Zi në vitet 92,97, terrorrizmi në ato vite nuk kishte lidhje me z.Berisha. Ta lëmë të mbetemi në deklaratën e z.Thaçi për atë ngjarje të vitit 97 që nuk kishin asnjë lidhje me z.Berisha. Përsa i takon pjesës tjetër të pyetjes suaj mendoj që së pari propozimi i z.Thaçi nuk ka qenë i qartë dhe i kthjellët dhe saktësisht, ju ne të gjithë një propozim të kristalizuar, konkret dhe me detaje pse jo, askush nuk e ka. Më tepër propozimi ishte sigurisht një çështje e konsumuar së brendshmi dhe njëkohësisht dhe një kqyrje sesi opinioni publik do të reagonte ndaj kësaj gjëje. Pasi po të ishte një propozim konkret, ky do të ishte në tavolinat e Kuvendit të Kosovës. Kështu që besoj të gjithë ata që janë përpjekur të ndërtojnë një propozim të caktuar, kanë pasur gjithmonë druajtjen e përballjes me soliditetin Kushtetues kosovar dhe me soliditetin e opinionit publik. Kushtetuta e Kosovës është shumë e qartë me çështjen e territorit pasi pakoja e Ahtisarit nënkuptonte një marrëveshje të plotë që të hetonte elementët themelore të cilat u bënë pjesë e Kushtetutës, por të cilat ishin pjesë e një marrëveshje që i takonte një territori të caktuar e thashë i cili ndodhet në flamurin e Kosovës. Dhe në njëfarë mënyre u testua cili do të jetë reagimi. Reagimi nuk qe surprizë, ishte plotësisht logjik normal, në atë rrugë në të cilin ka ardhur procesi për të krijuar një bindje kolektive në Kosovë që bashkëjetojmë në këtë mënyrë. Pasi në sajë të bashkëjetesës kemi një pavarësi që thellohet në mënyrë të jashtëzakonshme dhe një rrugë të Kosovës në të gjitha institucionet ndërkombëtare. Fakti që sot Kosova sot ka të hapura dyert e BE-së për liberalizimin e vizave dhe për procesin  e integrimit europian, do të thotë që Kosova ecën me një ritëm të jashtëzakonshëm besoj nga më të shpejtët. Askush nuk mund të mendonte që sot në vitin 2018 në një periudhë 10-vjeçare, Kosova do të kishte mundësi që për punë javësh do të liberalizonte vizat dhe do ishin qytetare europianë si gjithë të tjerët. Qytetarë europianë janë prej mijëra vjetësh por do të kishin ato të drejta formale të cilat u kishin munguar dhe izoluar Kosovën. Ndaj dua të them që në këtë drejtim Kosova është pjekur dhe i ka të qarta objektivat e saj politike dhe kushtetuese.  Ka një model vetëqeverisje të përcaktuar në pakon e Ahtisarit shumë të veçantë, shumë të gjerë, shumë liberal me hapësira të gjera vetëqeverisje.  Pra Kosova ka vënë disa elemente të rëndësishme të cilat janë unikale për këdo sipërmarrje  tjetër të këtij lloji që do ndodhte në botë. Pra çdo cënim i këtyre standardeve tashmë të konsoliduara tashmë do të thoshte dërrmim parimor i modelit kosovar të ekzistencës.