Vasili: Drejtësia u kap nga PS. Edhe ndërkombëtarët po ankohen

Kryetari i Grupit Parlamentar, Petrit Vasili deklaron se Reforma në Drejtësi është në pikën e saj me kritike. Në një intervistë në “Fax News”, Vasili tha se nga një pastrim i sistemit që pritej nga reforma, sot jemi në një kapje totale të drejtësisë nga mazhoranca.

“Jemi në një situatë shqetësuese sepse Kushtetuta është shkelur disa herë dhe gjithë procesi në duart e një mazhorance është kompromentuar. Mjafton t’ju kujtoj se para reformës ishin 93% e shqiptarëve që mbështesin Reformën në Drejtësi. Sot kjo shifër ka arritur në 34 %. Kjo është situatë alarmante, jo vetëm që zbatimi i reformës nuk e rregulloi sistemin, por e ka bërë dhe më keq. Qytetarët janë zhgënjyer. Jemi pa gjykata kryesore në vend dhe kjo është pasojë e qëndrimeve të njëanshme të mazhorancës”,- u shpreh Petrit Vasili.

Kreu i deputetëve të LSI tha se gjithë emërimet dhe kalimet e procesit të Vettingut kanë ngritur pikëpyetje për funksionimin e procesit. Vasili deklaroi se edhe ndërkombëtarët kanë arritur në pikën që nuk i besojnë më mazhorancës dhe sistemit të ri që po vendoset.

“ONM është pjesë e Vettingut. E keni parë që dhe ata nuk bien dakord me shumë vendime që janë marrë nga institucionet e Vettingut. Pse ndodh kjo? Sepse shumë procese vlerësimi kanë ngritur pikëpyetje dhe vetë përbërja e komisionerëve të vettingut është më falsifikues, shkelës ligji dhe probleme të tjera. Kjo tregon se sistemi po kapet 100 % nga mazhoranca dhe vetë ndërkombëtarët tashmë janë të shqetësuar”,- u shpreh Petrit Vasili.

Kreu i deputetëve të LSI ka bërë apel që mazhoranca të dëgjojë shqetësimet e opozitës dhe të kthejë procesin e reformës në shinat e zbatimit të ligjit. Gjithashtu, Vasili hodhi poshtë çdo pazar nga ana e mazhorancës për mbledhjen e votave për kalimin e Ligjit për Magjistraturën. “Duhet konsensus dhe dialog institucional. Nuk pinë ujë teoritë e pazareve. Sepse edhe disa javë më parë u tentuan të bëheshin manovra të pista. U tha që po negociohej më LSI për votat. Unë e them me përgjegjësinë e plotë politikë si përfaqësues i LSI që s’ka pasur asnjë negociatë dhe asnjë takim zyrtar për këtë çështje”,- tha Vasili.

Kreu i deputetëve të LSI-së tha se në fazën aktuale ku ka arritur mazhoranca me reformën në drejtësi nuk mund të flitet më për normalitet kushtetues. Ndërkohë që më shqetësuese është fakti se ndërkombëtarët që do të ishin garantët e reformës, sot janë në pozitat që edhe vetë ankohen për procesin.

Ndërkohë vendi prej disa javësh është pa Gjykatë Kushtetuese, pa Gjykatë të Lartë dhe shumë shpejt pa gjykata apeli. Në vend të pastrimit të sistemit, reforma në drejtësi, deri tani, ka sjellë një kaos total dhe ka rrëzuar gjithë shtyllën e një sistemi demokratik që është pushteti gjyqësor.