Shënoi 6 gola ndaj Luftëtarit, zhduket sulmuesi nigerian në Letoni

Adekele Akinyemi u bë i njohur pasi arriti t’i shënojë gjashtë gola Luftëtarit, në ndeshjen e turit të parë eliminator të Ligës së Europës. Por sot klubi i Ventspilsit në Letoni, nuk ka asnjë informacion për vendndodhjen e tij dhe ka bërë denoncim për zhdukje në policinë vendase.

Në njoftimin e bërë në faqen e Facebook-ut, klubi letonez thotë se Adinyemi është zhdukur pa lënë gjurmë, ndërsa nuk kontaktohet as nëpërmjet telefonit.

Sulmuesi, që ka qenë në Shqipëri edhe si lojtar i Skënderbeut, nuk është shfaqur ditën e djeshme, më 6 gusht, në kohën e duhur që autobusi i klubit do nisej për në qytetin e Liepajas, ku do të luhej edhe finalja e Kupës. Gjithashtu në njoftim shkruhet se kush ka informacion për vendndodhjen e lojtarit nigerian, mund të kontaktojë në numrat e telefonit të klubit.