Tjetër aksident i rëndë në Itali, kamioni përplas furgonin me emigrantë, 11 të vdekur

Një aksident i rëndë automobilistik ka ndodhur në Foggia të Italisë, ku kanë humbur jetën 11 persona, ndërsa 3 të tjerë janë plagosur. Ngjarja ndodhi në kryqëzimin e Ripalta-s. ‘Tgcom’ shkruan se viktimat janë emigrantë, që punonin në bujqësi, të cilët po ktheheshin nga puna.

Emigrantët afrikanë po udhëtonin me një furgon me targa bullgare, ndërsa po ktheheshin nga fushat e mbjella me domate, i cili u përplas me një kamion.

Deri më tani nuk dihen rrethanat e aksidentit. Vetëm pak minuta më parë një ngjarje e rëndë u regjistrua në autostradën në Itali, ku një auto-çisternë u përplas me një makinë, e për pasojë humbën jetën 2 persona dhe u plagosën 67 të tjerë.

Kujtojmë se të shtunën ndodhi një aksident i rëndë në rrugën dytësore midis Ascoli Satriano dhe ‘Castelluccio dei Sauri’, ku humbën jetën 4 punonjës, të gjithë emigrantë, si dhe u plagosën 4 të tjerë.