Profesioni i mësuesit – Publikohet vendimi me kriteret për të drejtën e ushtrimit

Profesioni i mësuesit në arsimin parauniversitar mund të ushtrohet edhe nga individë që zotërojnë diplomë universitare të ciklit të parë dhe të dytë ose diplomë universitare të integruar, të ngjashme me lëndën e mësimdhënies.

Sipas vendimit  të këshillit të ministrave, të botuar në fletoren zyrtare, ku bëhen të qarta procedurat për emërimin e mësuesve për arsimin fillor dhe parauniversitar  nënvizohet se individi duhet të këtë njohuri të certifikuara në formimin psikopedagogjik nga institucione të arsimit të lartë, që ofrojnë programe të studimeve të formimit të vazhduar.

Sipas vendimit mësuesi për arsimin fillor duhet të ketë fituar diplomën e ciklit të parë “Bachelor” dhe diplomë të ciklit të dytë “Master Profesional”, ose diplomë për arsimin fillor të ish-instituteve të larta pedagogjike.

Mësuesi për arsimin e mesëm të ulët dhe për arsimin e mesëm të lartë duhet të ketë fituar diplomën e ciklit të parë “Bachelor” dhe diplomën e ciklit të dytë “Master” me 120 ECTS në fushën e mësuesisë, që lidhet me programin e studimit të ciklit të parë.

Diplomat e njëvlershme, diplomat e ngjashme ose të përafërta me diplomat e sipërpërmendura në lëndët e mësimdhënies në arsimin parauniversitar dhe kriteret për hapjen e programeve të studimeve të formimit të vazhduar në fushën psikopedagogjike përcaktohen me udhëzim të ministrit.