Masat për sezonin, Tola: Gjatë fundjavës u ndëshkuan 7.800 drejtues

Policia Rrugore, që prej nisjes së sezonit ka marrë masa shtesë për menaxhimin e trafikut në sezonin e verës dhe parandalimin e aksidenteve. Në një dalje për mediat, Drejtori i Policisë Rrugore, Mithat Tola bëri me dije se gjatë fundjavës nuk është shënuar asnjë aksident.

”Policia Rrugore bën të ditur se këtë fundjavë edhe falë masave shtesë të marra dhe bashëpunimit përdorues rruge dhe Polici Rrugore, nuk u regjistrua asnjë aksident rrugor me pasoja serioze për jetën, në zonat turistike”,-tha Tola. Ai bëri me dije se në datën 4 gusht kanë hyrë në Shqipëri 53 mijë shtetas dhe 12.300 mjete.

Tola theksoi se për 3 ditë Drejtoria e Policisë Rrugore, falë bashkëpunimit intesiv me radiot me shtrirje kombëtare, komunikoi informacion të detajuar tek drejtuesit e mjeteve në lidhje mbi rrjedhshmërinë e trafikut, ngarkesën dhe bllokimet ose ngadalësimet e tij, si dhe rrugët alternative kur pati mbingarkesë.

”Nëpërmjet mediave lokale dhe rrjeteve sociale, 12 drejtuesit e shërbimeve të Policisë Rrugore komunikuan dhe do të vijojnë ta bëjnë këtë, për çdo sqarim dhe kërkesë të qytetarëve në lidhje me informacionin për trafikun. Krahas menaxhimit të lëvizjes, në kuadër të parandalimit të ngjarjeve me pasoja të rënda në akset rrugore, gjatë fundjavës janë arrestuar 58 shoferë, nga këta: 21 drejtues mjeti për drejtim mjeti në gjendje të dehur; 37 për mungesë të lejes së drejtimit. Policia ka pezulluar gjithashtu 254 leje drejtimi, për tejkalim të limiteve të shpejtësisë dhe drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit etj. Për mbi 7.800 drejtues mjeti janë vendosur masa administrative për shkelje të Kodit Rrugor, sidomos për parakalime të gabuara, mosvendosje të rripit të sigurimit, mospërdorim të kaskove mbrojtëse dhe përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjeteve”,-tha më tej Drejtori i Policisë Rrugore.

Në fund të deklaratës për shtyp, Tola përsëriti thirrjen që drejtuesit e mjeteve të tregojnë kujdes dhe të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor.

”Policia e Shtetit u bën thirrje drejtuesve të mjeteve të zbatojnë rigorozisht rregullat e qarkullimit rrugor. Patrullat e Policisë Rrugore, statike apo të lëvizshme do të marrin masat për të gjithë ata drejtues mjeti që kthehen në burim aksidenti duke shkelur normat e sjelljes. Nga ana tjetër ftojmë çdo qytetar dhe drejtues mjeti të denoncojnë në numrin falas 112 shkeljet që ndeshin në akset rrugore, si parakalime të gabuara, shpejtësi tej normave etj. duke u garantuar reagim të shpejtë dhe profesional”.