FOTO/ Artistët japin alarmin: Teatri Kombëtar, po çmontohet natën dhe fshehurazi!

Duket se ditët deri në muajin Shtator, kur parlamenti të mblidhet sërish dhe të votojë dekretin e presidentit Ilir Meta për Teatrin Kombëtar, drejtori i këtij institucioni dhe bashkia e Tiranës, nuk po i humbasin kotë.

Pavarësisht se ende nuk ka asgjë përfundimtare, për prishjen e teatrit dhe nisjen e punës në tokën e tij për ndërtimin e plot 6 kullave, natën dhe në fshehtësi të plotë ka nisur dalëngadalë çmontimi i tij. Alarmin e jep një nga drejtuesit e protestës kundër prishjes së teatrit, regjisori Kastriot Çipi i cili në faqen e tij në FB hedh, edhe disa foto.

“Filloi me heqjen e tabelës ndriçuese “Eja në teatër”. Pastaj natën u hoqën posterët e shfaqjeve nga fasada e Teatrit Eksperimental në rrugën këmbësore. Dhe po natën, të njëjtët punëtorë të Bashkisë, hoqën një duzinë stola nga sheshi i Teatrit.

Këto veprime, në vend që të dekurajojnë qytetarët që vijnë çdo mbrëmje në protestë, na bëjnë të gjithëve të shtrojmë pyetjen: a nuk tregojnë këto shenja se procesi i “negocimit” me Fusha shpk do të jetë thjesht një farsë?”, shkruan regjisori Çipi.