Dëmtim i rëndë për Sadikun, 6 muaj jashtë fushave të lojës

Armando Sadiku mbyll para kohe gjysmën e parë të sezonit në La Liga. Sulmuesi i kombëtares sonë pas vizitave mjekësore, është konfirmuar dëmtimi i rëndë në miqësoren ndaj Heerenvenit të luajtur në fundjavë në stadiumin “Abe Lenstra”.

“Testet mjekësore të zhvilluara gjatë ditës së sotme për Armando Sadikun konfirmojnë se sulmuesi shqiptar ka pësuar këputjen e ligamenteve të gjurit të majtë. Futbollisti do të operohet sot pasdite në klinikën “Quirón” nga doktori Ernesto Fernandez.

Sadiku doli nga fusha i dëmtuar në pjesën e dytë të ndeshjes së të shtunës së kaluar përballë Herenven. Parashikohet një periudhë riaftësimi prej 6 muajsh”, shkruhet në njoftimin e klubit që tregoi se lojtari ka mbyllur vitin dhe do të kthehet në fushat e lojës në 2019-ën. Bomberi pritej që të largohej gjatë kësaj vere, por pas këtij dëmtimi, transferimi në një ekip tjetër do të jetë i pamundur. /Koha Jonë/