Një shqiptare kandidon në zgjedhjet lokale në Bruksel

Alketa Selimaj, shqiptarja nga qyteti bregdetar i Vlorës, është e treta në listën për Këshill Bashkiak, në Bruksel. Ajo është kandidate e listës së lëvizjes qytetare “Alternativa Humaniste”, anëtare e partisë së qendrës së djathtë CDH që mban 9 karrige në dhomën e përfaqësuesve dhe 4 në Senatin e Parlamentit Federal të Belgjikës; me përfaqësi parlamentare në të tre rajonet belge, si dhe një karrige në Parlamentin Europian.

“Këtë vit janë zgjedhjet lokale në Bruksel në 19 komuna dhe në një prej tyre, Koelkerbergu, unë do të jem kandidate”. Jetën politike e nis si këshilltare, falë edukimit atje. “Kam mbaruar drejtësi dhe e drejtë europiane, këshilltare me presidenten e parlamentit frankofon të Brukselit dhe tani me ish-ministren e Brendshme”.

Propozimi për t’u bërë anëtare e listës “Alternativa humaniste” ishte për të oferta për të sjellë ndryshimin që kërkon. “Është i njëjti sistem me të njëjtët drejtues. Ne kërkojme diçka të re dhe pika jonë e parë e projektit është pjesëmarrja qytetare në vendimmarrje. Baza për një lokalitet vjen nga populli, ata e dinë çka duhet dhe ky është projekti ynë: T’i japim më shumë rëndësi qytetarëve”.

Përfaqësimi i shqiptarëve në Bruksel shkon deri në nivel parlamentar dhe për Alketa Selimajn janë fillimisht ata përcjellësi i kulturës shqiptare në botë. “Diaspora dhe emigracioni është imazhi i parë, jemi administratorët e parë të vendit. Komuniteti ynë është shumë i integruar dhe ka femra të tjera kandidate shqiptare. Në 19 komuna mund të jenë rreth 10-15 kandidatë shqiptarë që do jenë pjesë e votimeve. Kemi deputetin e parë, Ahmet Gjana, që është në parlamentin e Brukselit”.

Karrierën politike nuk e projekton në Shqipëri por është rikthimi në rrënjët e aktivizmit, për Selimajn, rruga që mund ta shtyjë drejt vendit amë, Shqipëri. “Aktualisht jam shumë mirë atje sepse mësoj shumë. Të jemë pjesë e politikës këtu nuk e di, por në të ardhmen mund të kthehem si aktiviste për të ndryshuar diçka. Njerëzit që takoj këtu nuk më këshillojnë të kthehem, kjo tregon se qytetari shqiptar nuk është i plotësuar”.

Zgjedhjet në Bruksel do të mbahen të djelën e 14 Tetorit dhe pritet të nxjerrin trupat e reja lokale për 19 komuna, mes të cilave me pak punë pritet të jetë pjesë edhe shqiptarja Alketa Selimaj. /Abcnews.al/