Lufta nis me serbët e mbaron mes shqiptarëve…

Nga Frrok Çupi –
Nisi me Millosheviqin e mbaroi me Rugovën e Berishën. Luftëtarët e UÇK e kthyen historinë aty ku ishte….

Në fakt as kundër serbëve nuk ishte nisur ‘zhurma’ e fundit për luftë e udhëheqësisë së Kosovës që vjen nga Lufta e vitit 1999. Por, haj mo!, njerëzve nga lufta u falet çdo heroizëm sado idiot. Në Kosovë tani qeverisin, në gjithë piramidën shtetërore, njerëz të ardhur nga Lufta (në fakt lufta amerikane e Klinton), por që u quajt ‘e UÇK’ . Pasi mbaroi lufta, këta ‘shinë lëmin’ e vlerave të Kosovës. Liderët e sotëm që dje mbanin pseudonime periferike që nga ‘Gjarpri’, ‘Smajli’, ‘Maxhupi’, ‘Sarajeva’, ‘Çeliku’, ‘Dhjetëshi’…., hynë në kështjellën e të mirave të vendit dhe e sollën deri në pikën kur tani “duhet shitur Kosova” (Në fakt duhet falur- sipas tyre)

Cikli i ish- luftëtarëve u mbyll. Ata e nisën luftën nën kujdesin e Amerikës, për të marrë Kosovën- dhe e morën. Tani ka ardhur momenti që duhet ta japin andej nga e morën- sipas idesë së presidentit Thaçi (Gjarpri). Thaçi president ka propozuar shkëmbimin e territoreve me Serbinë….

Këtu nisi ‘lufta’. Kryeministri Haradinaj sajoji mbledhjen e këshillit të lartë të sigurisë për një ‘rrezik’ në veri të vendit. Në fakt ushtria do të ngrihej më këmbë të hënën kur një pjesë e Mitrovicës do t’i kalonte Serbisë- sipas premtimit të Thaçit. Ushtria e Kosovës do të sulmonte shqiptarët që nuk do të pranonin copëtimin e trojeve…Edhe në Preshevë, e njëjta gjë do të ndodhte- sipas planeve të Thaçit i ardhur nga Lufta.

Edhe Serbia mblodhi ‘këshillin e sigurisë’, por ata u shfaqen sikur nuk kishte ndodhur gjë, gjithçka e kishin të qartë se ‘shqiptarët e kishin me shqiptarët’. Hashim Thaçi- president, sozi e Erdogan, ka nevojë për një ‘grusht shteti’ që të rrisë kultin e tij. Në vend të ‘gushtit’ të Erdogan, ky sajoji dhënien e trojeve shqiptare shtetit tjetër fqinj… Pastaj nisi luftën kundër themeluesit të Republikës së Kosovës, Ibrahim Rugova. Për Rugovën tha fjalët më të rënda si bashkëpunëtor i Millosheviç- sipas një video të transmetuara nga mediat.

Në fushë hyri edhe Sali Berisha- ish president i Shqipërisë dhe lider politik prej tre dekadash. Ky nuk e pranoi ndarjen e Kosovës. Atëherë ‘gjërpri’ gjeti rastin për t’i bërë shërbimin ‘historisë së shpifur’ të shqiptarëve- sikur këta janë vetë kriminelët e Ballkanit dhe Bin Ladenët e al- Qaeda-s.

‘Ti Sali Berisha ke furnizuar Millosheviçin dhe ke strehuar kriminelin Arkan dhe terroristin Bin Laden” shkroi publikisht Thaçi…

Kaq ishte Lufta. Ajo u kthye si ‘bishti i gjarprit’ brenda shqiptarëve. Në vend të prerjes së territoreve, historisë së shqiptarëve iu shtua edhe akuza e bërë nga vetë shqiptari (Thaçi) se në Luftë ky komb ka bashkëpunuar me Bin Laden e Millosheviq. Nuk kemi çfarë i themi botës më zi…

Lufta u bitis mes shqiptarëve…

Veritas.com.al