Presidenti Meta në Shkodër: Të nxisim kulturën e dhurimit të gjakut

Në kuadër të nismës së ndërmarrë, “Aleanca për Dhurimin e Gjakut”, Presidenti i Republikës, Ilir Meta ishte sot në qytetin e Shkodrës. Presidenti Meta së bashku me Kryebashkiaken e Shkodrës, zonjën Voltana Ademi ndoqën nga afër seancën e dhurimit të gjakut nga punonjës të administratës dhe qytetarë të shumtë shkodranë, kryesisht të rinj.

Presidenti Meta falënderoi Kryetaren e Bashkisë, Voltana Ademi, njëkohësisht edhe kryetare e Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë, e cila bashkarisht me qytetarët shkodranë, iu përgjigjën që në fillim e në mënyrë konkrete thirrjes së kreut të shtetit dhe të “Aleancës për Dhurimin e Gjakut”.

“Ju falënderoj për këtë seancë dhurimi gjaku në Bashkinë e Shkodrës, pikërisht në këto ditë të nxehta gushti kur ka nevojë më shumë se asnjë herë tjetër, për të mbajtur procesin e dhurimit të gjakut në parametra normalë. Jam i bindur që do të kemi edhe shumë seanca të tjera në vazhdimësi në mënyrë që të krijojmë një traditë të qëndrueshme dhe pozitive. Dhurimi i gjakut është një proces 100% i sigurtë dhe një proces tepër i shëndetshëm, sidomos për të rinjtë dhe për të rejat, që unë besoj se do të bëhen edhe promovuesit kryesorë të kësaj Aleance dhe të këtij solidariteti mbarëshoqëror”,-u shpreh Presidenti Meta.

Kreu i Shtetit vuri në dukje gjithashtu se: “Qëllimi kryesor i Aleancës është që në vitin 2020 ne të arrijmë atë objektiv të vendosur edhe nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, që dhurimi i gjakut të jetë një proces tërësisht i garantuar në mënyrë vullnetare dhe një proces i stabilizuar e afatgjatë. Ju faleminderit të gjithë qytetarëve të Shkodrës që janë përgjigjur pozitivisht dhe po marrin pjesë në këtë seancë dhurimi, që besoj se do të vijohet nga të gjithë anëtarët”.