Ndarja nga jeta e Gaqo Çakos, Meta: Ngushëllime për Nderin e Kombit

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka shprehur trishtimin dhe keqardhjen për ndarjen nga jeta të tenorit dhe këngëtarit lirik të mirënjohur shqiptar, Gaqo Çako.

Kreu i Shtetit shpreh ngushëllimet e sinqerta familjarëve, miqve dhe të afërmve të mjeshtrit të skenës lirike, tenorit dhe intepretuesit të këngës lirike shqiptare, i cili për tri dekada mori pjesë dhe interpretoi mjeshtërisht, duke fituar e duke u nderuar me çmime në skenat e Festivaleve të Këngës së Radio Televizionit Publik Shqiptar.

”Nderi i Kombit tonë, mjeshtri i përsosur Gaqo Çako ka lënë gjurmë të pashlyeshme në intepretimet e operave në skenat shqiptare e botërore si dhe ato të këngëve të muzikës së lehtë shqiptare, me ndarjen e tij nga jeta po le një boshllëk të madh artistik e shpirtëror ne trashëgiminë tonë artistike dhe në mes të bashkësisë së artistëve, kolegëve dhe të artashësve shqiptarë, kudo ku ndodhen. Në këto çaste hidhërimi të pamatë, gjendem shpirtërisht pranë familjarëve, të afërmve dhe kolegëve e bashkëpunëtorëve të të ndjerit Gaqo Çako! I paharruar qoftë kujtimi dhe vepra e tij artistike dhe iu prehtë shpirti në paqe”,-shkruhet në mesazhin e Presidentit Meta.