Të papunë, “të persekutuar” përjetë  me rroga mbreti

Nga Zija Lika –

Nisur nga fakti që përgjatë 18 vjetëve të fundit të veprimit të ligjeve nr 8549 datë 11.11.1999 “statusi i nëpunësit civil” dhe 152-2013 “për nëpunësin civil” të ndryshuar, buxheti i shtetit shpenzon çdo vit rreth 15 – 20 milionë euro për dëmshpërblimin, që rrjedh nga ekzekutimi i vendimeve gjyqësore të formës së prerë në favor të ishpunonjësve me status të larguar më parë nga puna, ndjehem i obliguar, të paraqes disa mendime, këshilla dhe sugjerime ekonomiko – ligjore, të cilat nëse do të zbatohen do të çojnë në minimizimin e këtij dëmi financiar sistematik e të përvitshëm, duke bërë të mundur që paratë e taksapaguesve, të mos përdoren për pagesa inproduktive e parazitare, por t’ju rikthehen atyre, në formën e investimeve publike, mallrave dhe shërbimeve qeveritare, rritjes së rrogave dhe pensioneve, politikave më të mira sociale e të tjera.

Meqënse institucione të ndryshme shtetërore (sistemi tatimor qëndror,doganat në pjesën më të madhe të pozicioneve të punës, ministri, bashki e tjera), që gëzojnë ligjërisht statusin e nëpunësit civil për punonjësit e tyre, kanë specifika të ndryshme, do të përqëndrohem në zgjidhjen e këtij problemi në sistemin tatimor qëndror, që përbëhet nga:  DPT-Tiranë, 13 DRT, DTM- Tiranë e tjera, ndërkohë që kjo zgjidhje mund shërbejë si model edhe për institucione të tjera me status, në vartësi me veçoritë që ato kanë.

Së pari: Duhet të bëhet rregullimi përkatës ligjor, duke ngarkuar me përgjegjësi financiare, administrative dhe/ose penale autoritetet përkatëse vendimmarrëse, për largime të padrejta nga puna, të konfirmuara përmes vendimeve përkatse gjyqësore të formës së prerë, që  lidhen me periudhat respektive nga datat e largimit, deri tek ato të  marrjes formë  të  prerë  të  vendimeve gjyqësore dhe për mosekzekutim në  kohë  të  këtyre të  fundit, prej datave përkatse që  duhet të  realizohej përmbushja e këtij detyrimi ligjor, deri  në  ato  të  ekzekutimit  të  këtyre vendimeve,  apo në  vazhdim për pjesën e  mbetur të  tyre ende  të  paekzekutuar.

Zbatimi i pjesës së parë të këtij rekomandimi, që lidhet me largimet nga puna të ish nëpunësve civilë  dhe zhvillimin e  proceseve gjyqësore përkatëse deri në marrjen formë të prerë të vendimeve gjyqësore në favor të tyre, duhet të analizohet me shumë kujdes dhe objektivitet, pasi periudha e deritanishme e funksionimit të sistemit të drejtësisë, është mbushur me raste të shumta kontestimesh, gjykimesh jo korrekte të ndershme e profesionale, të shoqëruara me ngjarje e fenomene korruptive, të denoncuara edhe prej emisioneve televizive investigative si “Fiks- Fare”, “Stop”, “Boom” e të tjera. Lidhur me atë çka themi, le të shpresojmë se funksionimi në të ardhmen i strukturave të reja të sistemit të drejtësisë, të dala nga implementimi i reformës në drejtësi, do të ndryshojë në drejtimin e duhur realitetin  përgjithsisht negativ të funksionimit të deritanishëm të këtij sistemi. Gjithashtu këto autoritete, në përkatësi të institucioneve që gëzojnë statusin e nëpunësit civil, duhet  të mbajnë përgjegjësinë e sipërcituar, në të gjitha ato raste kur sipas verifikimeve përkatse, nga  rezulton se kanë bërë emërime në punë nga jashtë ose brenda sistemit, në ato pozicione pune tek të cilat ato duhet të rikthenin detyrimisht, ish nëpunësit përkatës, zotërues të vendimeve gjyqësore të formës së prerë,të cilat e konfirmonin më parë këtë të drejtë, duke lejuar në këtë mënyrë vazhdimin abuziv të pagimit inproduktiv të këtyre të fundit, me fondet përkatëse publike të buxhetit të shtetit, deri në momentin e rikthimit në vendin e mëparshëm të punës, sikurse përcaktohet në këto vendime gjyqësore, ose derisa të jenë gjallë nëse ato nuk ekzekutohen.

Me hyrjen në fuqi të ligjit 152-2013 “për nëpunësin civil” të ndryshuar, neni 66/1, pika 1, vendimet gjyqësore të formës së prerë për rikthimin e nëpunësve civilë në detyrë, duhet të zbatohen menjëherë nga “njësia përgjegjëse” e cila  në bazë të nenit 4, pika 1, shkronja f, të po këtij  ligji është Departamenti i Administratës Publike (DAP) për institucionet e administratës shtetërore dhe njësia e burimeve njerëzore, për institucionet e pavarura dhe njësitë e qeverisjes vendore.

Lidhur me këtë  KLSH-ja, ndonëse ka patur një reagim dhe angazhim pozitiv të admirueshëm, duke i pranuar dhe mirëpritur të gjitha sugjerimet e rekomandimet ekonomiko – ligjore të parashtruara profesionalisht nga ana e ime, në funksion të zgjidhjes optimal në dobi të interesit publik, të kësaj problematike të ndërlikuar e komplekse,  ka detyrimin ligjor të vazhdojë të ushtrojë kontroll tematik pranë  institucioneve dhe autoriteteve përkatëse shtetërore, zbatuese të ligjshmërisë së sipërpërmendur dhe në bazë të verifikimeve, fakteve e gjetjeve të rezultuara, të cilat provojnë paligjshmërinë e veprimeve apo mosveprimeve të zyrtarëve respektivë, me pasojë dëmtimin sistematik e abuziv në shifra shumë të larta të buxhetit të shtetit, të kërkojë jo vetëm çdëmtimin ekonomik, por edhe marrjen e masave administrative dhe/ose penale ndaj tyre.

Nga ana tjetër, është aspak normale që përgjatë 18 vjetëve të fundit të veprimit të ligjeve  nr 8549 datë 11.11.1999 “statusi i nëpunësit civil” dhe 152-2013 “për nëpunësin civil”, të ndryshuar, këshilltarët ekonomikë dhe ose ligjorë të institucioneve qëndrore  shqiptare, titullarët e tyre, drejtoritë juridike, strukturat përkatse të auditimit financiar dhe specialistët e FMN-së, të cilët kanë asistuar në këtë periudhë ekspertimin e financave publike shqiptare, nuk i kanë dhënë asnjë rekomandim zyrtar qeverive përkatëse shqiptare, për zgjidhjen efiçente dhe ligjore të këtij problemi tepër të rëndësishëm për buxhetin e shtetit.

Së dyti: Për të gjithë ish nëpunësit tatimor, të larguar më parë nga puna dhe për të cilët aktualisht ekzistojnë vendimet përkatëse gjyqësore të formës së prerë në favor të tyre, duhet të fillojnë menjëherë nga ana e     DPT-së dhe DAP-it Tiranë, procedurat e rikthimit të tyre në punë, duke i kërkuar paraprakisht qeverisë në mënyrë të argumentuar, miratimin e një shtese organike për aq sa nevojitet, në përmbushje të detyrimit përkatës ligjor, që rrjedh edhe nga zbatimi i ligjit 152 / 2013 “për nëpunësin civil”, të ndryshuar, neni 7, pika 2, shkronja gj.

Menjëherë pas këtij miratimi, ministria e financave konformë procedurave përkatse ligjore, duhet të transferojë fondin përkatës të parashikuar në buxhetin e shtetit për dëmshpërblime të kësaj natyre, në fond pagash për llogari të DPT-Tiranë, duke shtuar pjesën kontributit të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, që do të paguhet nga punëdhënësi (shteti) dhe rritjen totale  respektive të pagës bruto krahasuar me më parë.

Ky transferim është tepër i rëndësishëm, pasi ai bën të mundur zvëndësimin e shpenzimeve buxhetore inproduktive me ato produktive, pasi këto të fundit në çdo rast do të krijojnë të ardhura shtesë nga punësimi për llogari të buxhetit të shtetit, ndërkohë që ndryshesa (rritja / ulja) e shpenzimeve faktike në kuadrin e këtij buxheti, do të jetë e barabartë me pjesën e kontributit të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, që do të paguaj punëdhënësi (shteti) në zbatim të legjislacionit përkatës, plus rritjen totale respektive të pagës bruto, krahasuar me më parë për të gjithë ish nëpunësit e rikthyer faktikisht në punë, minus pjesën e dëmshpërblimit financiar të ndërprerë për ata ish nëpunës, të cilët sikurse themi më poshtë lirohen apo largohen nga shërbimi civil. Përllogaritet se vlera e çdo dëmshpërblimi financiar të ndërprerë, është përafërsisht e mjaftueshme për të  mbuluar koston shtesë  buxhetore të rikthimit dhe vazhdimit në punën e mëparshme, të katër ish nëpunësve zotërues të vendimeve gjyqësore të formës së prerë, të cilat e konfirmonin më parë këtë të drejtë. Kjo do të thotë se vlera e dëmshpërblimit, që i korrespondon 20% të numrit total të ish nëpunësve tatimorë të kësaj kategorie, të cilëve për shkaqet e përmëndura më poshtë ju ndërpritet dëmshpërblimi financiar, është e mjaftueshme për të përballuar koston shtesë buxhetore të rikthimit dhe vazhdimit në punën e mëparshme, të të gjithë pjesës tjetër të barabartë me 80%  të numërit total të tyre, ndërkohë që nëse shifra e mësipërme e daljes nga skema e dëmshpërblimit financiar është mbi 20%, atëhere gjenerohet përfitim shtesë buxhetor në formën e kursimit të shpenzimeve përkatëse të këtij buxheti.

Nëse për këtë kategori ish nëpunësish, kryhen procedurat përkatëse ligjore të rikthimit në punë dhe për këtë bëhet njoftimi zyrtar i secilit prej tyre, atëhere ndërpritet menjëherë dëmshpërblimi financiar i sipërpërmendur, pasi në këtë moment madje edhe kur ekzistojnë arsye të justifikuara ligjore për mosparaqitje në punë, efektet e vendimeve gjyqësore të formës së prerë nulifikohen (zerohen), ndërsa të gjithë ata që paraqesin aktin e dorëheqjes me shkrim, apo për arsye të ndryshme të pajustifikuara ligjore nuk e respektojnë këtë vendimmarrje, lirohen apo largohen respektivisht nga shërbimi civil dhe numri i tyre i zbritet atij të strukturës së shtuar organike të personelit, duke e fiksuar atë përkohësisht në përputhje me rregullat përkatëse ligjore.

Në përfundim të  këtij proçesi, do të jetë tepër e sigurt, se numri i ish nëpunësve të kësaj kategorie që do të vazhdojnë të paguhen, do të jetë më i vogël  nga ai i mëpërshëm, madje me një ndryshim thelbësor tepër të madh, pasi këta të fundit nuk do të paguhen më në mënyrë inproduktive e parazitare, por nëpërmjet punës e cila padyshim dhe për çdo rast, do të gjenerojë nëpërmjet produktivitetit përkatës, përfitim shtesë me interes publik. Në lidhje me këtë, ka shumë të ngjarë që pjesa më e madhe e atyre, që kanë emigruar jashtë vendit (në Europë, SHBA, apo kontinente të tjera), apo që kryejnë punë të tjera ose merren me biznes, nuk do të preferojë të rikthehet në vendin e mëparshëm të punës, ndërkohë që padyshim ju intereson vazhdimi sa më gjatë në kohë i përfitimit parazitar të dëmshpërblimit ekonomik, që rrjedh nga mos kryerja e procedurave përkatëse ligjore të rikthimit në punën e mëparshme, konformë vendimeve gjyqësore përkatëse të formës së prerë.

Aktualisht janë rreth 380 ish nëpunës të sistemit tatimor të larguar nga puna pas vitit 2000, për të cilët ekzistojnë vendimet përkatëse gjyqësore të formës së prerë në favor të tyre, por që ende figurojnë të pakthyer në punën e mëparshme. Ky fakt, përbën një dëm të madh ekonomik të përvitshëm që i bëhet buxhetit të shtetit dhe taksapaguesve shqiptarë, pasi secili prej tyre ka përfituar dhe përfiton çdo vit, në vartësi me pagën përkatëse që ka patur, një shumë prej 9-10 milion lekësh të vjetra, pa dhënë asnjë llojë kontributi në punë. Duke qënë kështu, kuptohet fare qartë që shumicës së tyre apo ndoshta të gjithëve, nuk i intereson rikthimi në punën e mëparshme, madje mund ta konsiderojnë si një nga fatkeqësitë më të madha, nëse një gjë e tillë u ndodh, pasi ata mund të bëjnë punë të tjera (qoftë edhe në sektorin publik) dhe paguhen për to, të merren me biznese, e tjera, apo të emigrojnë jashtë vendit për vite të tëra dhe deri sa të arrijnë moshën e pensionit ose të jenë gjallë (gjë e cila nuk përbën aspak çudi), të paguhen duke shtuar çdo vit në llogarinë bankare të çdonjërit prej tyre, shumën prej rreth 10 milion lekësh. Përvoja e deritanishme ka treguar se kjo pagesë, mund të vazhdojë pandërprerje deri në më shumë se 60 vjetë rresht, duke kapur shifrën e mbi  600 milion lekëve.

Në këtë situatë, rikthimi i tyre në punë sa më shpejtë që të jetë e mundur (qoftë edhe me shtesë organike), jo vetëm që e ndërpret efektin përkatës negativ në buxhetin e shtetit, por përkundrazi mundëson lëvizjen e tij drejt kahut pozitiv, pasi kontributi (produktiviteti) i punës së tyre në sistemin tatimor, i cili ende karakterizohet nga një nivel i lartë evazioni fiskal, do të shoqërohet me siguri në kushtet e mirëmenaxhimit të këtij sistemi, me një rritje të ardhurash për buxhetin e shtetit disa herë më shumë se rrogat përkatëse të tyre, të cilat vazhdojnë t’i marrin sistematikisht në periudha periodike vjetore, në mënyrë  inproduktive e parazitare, madje dhe pa zbritur më parë kontributin e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, sikurse ndodh me të punësuarit.

Pra zbatimi i kësaj skeme ekonomiko-ligjore në çdo lloj rasti dhe rrethane, do të rezultojë me efekte  financiare pozitive për buxhetin e shtetit dhe do të ulë nga ana tjetër, treguesin në % që  zë  kostua reale vjetore e mbajtjes së personelit të administratës tatimore qëndrore, (të cilës i shtohet edhe dëmshpërblimi vjetor i sipërcituar), ndaj totalit të të ardhurave vjetore që vilen prej kësaj administrate, ndërkohë që vonesat subjektive të pajustifikuara nga ana ligjore, lidhur me  ekzekutimin e vendimeve gjyqësore të formës së prerë (për sa i takon rikthimit në vendin e mëparshëm të punës, të ish nëpunësve përkatës të larguar më parë nga puna), apo akoma më keq mosekzekutimi fare i tyre, do të vazhdojnë të ndëshkojnë financiarisht këtë buxhet dhe taksapaguesit shqiptarë. Mundësia e rikthimit në punë, për raste të tjera të ngjashme, qoftë edhe me shtesë organike deri në masën ku të ardhurat e produktit marxhinal të punës barazojnë çmimin e saj (pagën), sikurse përcakton shkenca e ekonomisë, duhet të shikohet me përparësi edhe në institucione të tjera ku vepron ligji përkatës “për nëpunësin civil”, duke përfshirë edhe njësitë e qeverisjes vendore.

Në këndvështrimin ligjor, ekonomik, financiar dhe social, çdo shtesë organike e miratuar konformë procedurave përkatëse ligjore, që do të mundësonte rikthimin në punën e mëpërshme të  ish nëpunësve të  kategorisë së lartpërmendur, do të ishte e justifikuar deri në masën që treguesi ekonomik “të ardhura të produktit marxhinal të punës”, të jetë jo më i vogël se pjesa e kontributit të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore që paguan punëdhënësi (në rastin tonë shteti), në zbatim të legjislacionit përkatës, plus rritja respektive e pagës bruto krahasuar me më parë, pasi pjesa tjetër e shpenzimeve që lidhet me pagën, mbulohet financiarisht nga fondi përkatës i parashikuar në buxhetin e shtetit për dëmshpërblime dhe i transferuar më parë në fond pagash, sikurse themi më sipër.

Së treti: Është e domosdoshme dhe emergjente që në kuadrin e rregullimit dhe përmirësimit të mëtejshëm të legjislacionit në fushën e shërbimit civil e të tjera, të përcaktohet qartë se nëse përgjatë periudhës kur ishpunonjësi civil apo jo civil, është trajtuar apo trajtohet me dëmshpërblim financiar nga fondet e buxhetit të shtetit për shkak të ekzekutimit të vendimit përkatës gjyqësor të formës së prerë në favor të tij dhe nga ana tjetër brenda kësaj periudhe, verifikohet se ai ka qenë apo është i punësuar në sektorin publik dhe për pasojë i paguar prej fondeve publike buxhetore, atëhere këto shuma pagesash duhet t’i zbriten atij prej dëmshpërblimit  të pritshëm, ose të kërkohet rikthimi i tyre në buxhetin e shtetit, përmes vendimit ekzekutiv të nxjerrë  prej institucionit përkatës, konformë zbatimit të procedurave të nevojshme ligjore.

GJykoj se duke vepruar në këtë mënyrë, bëhet e mundur që të merren një sërë përfitimesh në drejtime dhe aspekte të ndryshme, të cilat padyshim do të jenë në interes të mbarë publikut dhe vlerësohen pozitivisht prej tij.

Në aspektin ligjor, ekzekutimi i vendimeve gjyqësore të formës së prerë, merr një rëndësi edhe më të madhe në kushtet e sotme të implementimit të reformës në drejtësi dhe çeljes së mundshme (në vitin e ardhshëm 2019), të negociateve për antarësim të vendit tonë në bashkimin europian. Në të gjitha vendet e botës ku funksionon  realisht shteti ligjor i së drejtës, jo vetëm që ekzekutohen në kohën e duhur këto vendime, por aktualisht në disa prej tyre si  SHBA, Gjermani e tjera, legjislacioni përkatës me qëllim minimizimin e pagesave inproduktive, kushtëzon dhënien e asistencës  ekonomike për të  gjithë individët përfitues në moshë ligjore pune dhe të aftë për punë, me kryerjen përgjatë çdo muaji të një numri të caktuar orësh pune në dobi të komunitetit.

Në aspektin ekonomik, sikurse e shpjeguam më sipër, bëhet e mundur të shmangen ose të paktën minimizohen,  pagesat e majme, sistematike, inproduktive e parazitare, që kapin çdo vit në total shifra prej disa milionë euro për këtë kategori ishpunonjësish të sipërpërmendur, të cilët mund t`i  përfitojnë ato në vazhdimësi deri në më shumë se 60 vjetë, nëse nuk kryhen procedurat përkatse ligjore të rikthimit në punën e mëparshme.

Në aspektin social, rikthimi sa më shpejtë të jetë e mundur në vendet e mëparshme të punës,  konformë vendimeve përkatëse gjyqësore të formës së prerë, të ishpunonjësve të larguar më parë nga puna, minimizon kostot sociale që lidhen me zhvlerësimin e kapitalit njerëzor dhe intelektual, të shkaktuar nga humbja e aftësive profesionale dhe shprehive të punës, si rrjedhojë e qëndrimit papunë, apo punësimit jashtë  profesionit.

Në aspektin e luftës antikorrupsion, ekzekutimi sa më i shpejtë i vendimeve gjyqësore të formës së prerë, për pjesën që i takon rikthimit në vendin e mëparshëm të punës, të ish punonjësve që e kanë fituar këtë drejtë me këto vendime, do të shmang në të ardhmen, aferat korruptive që mund të jenë praktikuar në të kaluarën në sistemin gjyqësor, lidhur me dhënien e së drejtës së pamerituar (tek disa prej ishpunonjësve të larguar nga puna), kundrejt shpërblimeve korruptive të dhëna, pasi çdo vendim i kësaj natyre ju ka siguruar dhe siguron atyre, çdo vit në vazhdimësi  mesatarisht rreth 10 milion lekë të vjetra.

Në aspektin moral, shoqëror e politik, duke vepruar si më sipër, kontribuohet pozitivisht në drejtim të dhënies fund, jo vetëm të pagesave të majme parazitare që shpesh zgjaten pa limit kohor në dëm të interesit publik, por       edhe të spekullimeve hipokrite të një pjese të ishpunonjësve të kësaj kategorie, që ndërsa hiqen çuditërisht                       “të persekutuar”, (megjithëse trajtohen me rroga të larta papunuar), tundin jo rrallë herë flamujt e opozitarizmit, në pritje dhe me ëndrrën për t`u katapultuar në  të ardhmen, në poste drejtorësh në mënyrë të pamerituar.

Vetëm kështu, aq më tepër të ndodhur përballë implementimit të shumëpritur të reformës në drejtësi dhe sfidës së përmbushjes së detyrimeve përkatëse, që do të kushtëzojnë  çeljen e mundshme gjatë vitit 2019 të negociateve për antarësim të vendit tonë në bashkimin europian, bëhet i mundur zbatimi korrekt i legjislacionit mbi ekzekutimin e detyrueshëm të vendimeve gjyqësore të formës së prerë, shmangia ose minimizimi i pagesave inproduktive e parazitare, të cilat kapin vlera monetare relativisht shumë të larta, eleminimi i ndikimeve politike në administratën publike dhe mundësive të emërimeve të reja të pamerituara e dubluara, përmirësimi i efiçencës ekonomike në sistemin tatimor e tjera, duke kontribuar pozitivisht  në  rritjen e mirëqënies ekonomike e sociale të mbarë publikut.

Shpresoj që këto mendime, këshilla dhe sugjerime të karakterit ekonomiko – ligjor, të merren në konsideratë dhe implementohen nga institucionet përkatëse ligjzbatuese dhe ligjvënëse shqiptare,  pasi ato përveç të tjerash, do të rezultojnë çdo vit në të ardhmen me efekte financiare pozitive, prej disa milion euro në favor të  buxhetit  të  shtetit dhe interesit publik.