Rama: E kam marrë prej 20 vitesh pozicionin tim për Teatrin

Kryeministri Edi Rama, i ftuar në emisionin “Përballë” të gazetarit Lutfi Dervishi, u shfaq i vendosur për të ccuar përpara projektin e ndërtimit të Teatrit të Ri Kombëtar.

Ndonëse opozita e ka kthyer në një kauzë çështjen e Teatrit dhe presidenti Meta e rrëzoi me dekret ligjin e posaçëm të miratuar në parlament, Rama nuk tërhiqet nga projekti i ndërtimit të një godine të re përmes partneritetit publik-privat.

“Ky është një diskutim që unë e kam zhvilluar para 20 vjetësh dhe ka 20 vjet që ka mbetur pezull. Këtu nuk ka asgjë të re për të zbuluar. Ne nuk kemi asnjë luks dhe asnjë mundësi që të ruajmë një ngrehinë të tillë që nuk ka asnjë vlerë, në asnjë kontekst të trashëgimisë kultuore botërore dhe ta mbajmë aty si një ngrehinë të vdekur”, u shpreh Rama.

Ai ka vijuar më tej duke thënë:

“Çfarë gare do të bësh kur je i kondicionuar nga fakti që do të përfshish në këtë zhvillim prona që i zotëron dikush që ka emër dhe mbiemër. Ligjet e veçanta për investime të mëdha janë rutinë në vende të tjera. Ky është një investim i madh dhe nga ky investim i madh, shteti në të njëjtin vend ku ka teatrin do të marrë një teatër që do të jetëpër publikun…”.