“Pakt të ri me PS-në”? Lulzim Basha: Koalicion me Edi Ramën nuk do të ketë kurrë

Menjëherë pas mesazhit të kryeministrit Edi Rama për një marrëveshje të ngjashme me atë të 17 majit të vitit të kaluar, ka ardhur reagimi i kreut të Partisë Demokratike Lulzim Basha.

Përmes një reagimi të shkurtër në rrjetet sociale, Basha e përjashton kategorikisht mundësinë e një bashkëpunimi të dytë me Edi Ramën.

“ Kurrë! Koalicion me Edi Ramën nuk do të ketë kurrë! Detyra ime, e PD  është largimi i Edi Ramës nga pushteti dhe nxjerrja e tij bashkë me Tahirin, Gjiknurin, Dakon, Sejdinin dhe të gjithë politikanët e lidhur me krimin para drejtësisë!”- deklaron kreu i PD-së, Lulzim Basha.

Më herët, kryeministri Edi Rama theksoi se është i gatshëm për një marrëveshje si ajo e 17 majit të vitit të shkuar.

“Jam i gatshëm të bëj çdo përpjekje që magjia e 17 majit të përsëritet, por sipas meje magjia do të përsëritet kur opozita të gjendet e ngjitur pas murit”- Rama.

Gjithashtu Rama tha për gazetarin Lufti Dervishi në TVSH, se Partia Socialiste ka gati një marrëveshje bashkëpunimi, por që do të bëhet publike në shtator, kur të nis sesioni i ri parlamentar.