Koreja e Veriut vijon punën me raketat

Koreja e Veriut duket se po ndërton një raketë të re balistike, pavarësisht përmirësimit të marrëdhënieve me administratën e presidentit Donald Trump. Zyrtarë të paidentifikuar amerikanë i thanë “Washington Post” se, satelitë spiunë kanë pikasur aktivitete të vazhdueshme në një vendndodhje, ku janë prodhuar raketat balistike në të kaluarën.

Agjencia e lajmeve “Reuters” citon një zyrtar të ketë thënë se, mbetet e paqartë sesa punë është bërë deri më tani.

Kujtojmë se presidenti Donald Trump u takua me udhëheqësin e Koresë së Veriut, Kim Jong-un, në qershor.

Pas takimit të parë mes një presidenti amerikan në detyrë dhe një kreu të vendit komunist, dy udhëheqësit u zotuan për të punuar drejt denuklearizimit të gadishullit korean. Trump, madje, shkoi deri aty sa pak kohë më vonë të deklaronte se Koreja e Veriut “nuk përbënte më një kërcënim bërthamor”.