Interi kompleton goditjen e dyfishtë, arrin akordin me Vidal

Pas Sime Vrsaljko, Interi arrin marrëveshjen edhe me Arturo Vidal. Klubi zikaltër do të kompletojë merkato e kësaj vere me një tjetër goditje të bujshme.

Mediat italiane shkruajnë se skuadra e Spalletit ka arritur akordin me Bayern Munich për transferimin në Milano të kilianit. Sipas gazetës italiane Interi do t’i paguajë kampionëve të Gjermanisë 5 milionë euro për huazimin e lojtarit për 2 sezone dhe 22 milionë euro për blerjen përfundimtare të tij pas 2 vitesh.

Megjithatë ekziston edhe një kleçkë e fundit pasi kiliani është në skadencë kontrate me Bayernin në verën e vitit 2019-të dhe për të kaluar te Interi më parë Vidal duhet të zgjasë marrëveshjen aktuale me bavarezët edhe me të paktën 2 vite.

Dëshira e futbollistit dhe e familjes së tij për t’u transferuar në Milano kanë luajtur një rol shumë të rëndësishëm që Bayerni t’i ndizte dritën jeshile klubit zikaltër. Vetë lojtari do të përfitojë 4.5 milionë euro në sezon. /Koha Jonë/