Vasili: Heronjtë “lëpirës” të kockës së Teatrit

Kreu i grupit parlamentar i LSI-së, Petrit Vasili, shkruan se Teatri ndau qytetarët nga vandalet, të ndershmit nga moralprishurit dhe shtetarët nga banditët me pushtet. Në një status në facebook, Vasili me ironi thotë se çështjen e Teatrin, disa e kanë si kockë për ta lëpirë. ”Të kompleksuar në mënyrë qesharake, këta “heronj” të kockës gërmojnë shembuj dhe analogji idiote pa asnjë lidhje anë e mbanë globit, që të justifikojnë gllaberimën e kockës së Teatrit. Me të shkuara qesharake ku pozicionet, parimet, pronarët, i kanë ndryshuar aq shpesh sa prostitutat klientët, këta heronj të kockës së teatrit vrasin miza mbi pellgje ujrash të zeza morali, ku kanë gjalluar e jetuar prej vitesh”,-shkruan më tej Vasili.

Postimi i plotë i Petrit Vasilit:

Të gjithë të komisionuarit me para ose në natyrë mediatike, politike e bashkiake qofshin shpërblimet, janë lëshuar me vërtik e me klithma mbi kockën e Teatrit. Sapo kocka u largohet pak, kuisin me të qarë dhe me egërsi, që ta afrojnë prapë për ta lëpirë sërish.

Qytetarë, që kanë bërë hasha qytetin e tyre ku lindën dhe u rritën për hatër të kockës pështyjnë mbi veten dhe të shkuaren e familjeve të tyre qytetare të vjetra, sepse halli i kockës ua kërkon.

Të kompleksuar në mënyrë qesharake, këta “heronj” të kockës gërmojnë shembuj dhe analogji idiote pa asnjë lidhje anë e mbanë globit, që të justifikojnë gllaberimën e kockës së Teatrit.

Me të shkuara qesharake ku pozicionet, parimet, pronarët, i kanë ndryshuar aq shpesh sa prostitutat klientët, këta heronj të kockës së Teatrit vrasin miza mbi pellgje ujrash të zeza morali, ku kanë gjalluar e jetuar prej vitesh.

Teatri ndau përfundimisht qytetarët nga vandalet, të ndershmit nga moralprishurit dhe shtetarët nga banditët me pushtet. “Heronjtë” lepirës të kockës së teatrit mbeten gjithmonë vetëm me këta të dytët.