Dogji shtëpinë e vjehrrit, pas sherrit për djalin e porsalindur

Zbulohen të tjera detaje nga ngjarja e dy ditëve më parë në Elbasan, ku 30-vjeçari, Çlirim Kasaj, i vuri flakën shtëpisë së vjehrrit të tij, pas një debati. Report Tv mëson se 30-vjeçari, babai i një vajze, sapo ishte bërë baba për herë të dytë, pasi e shoqja kishte lindur djalë.

I riu donte t’i jepte djalin pa pëlqimin e të shoqes të vëllait, i cili s’mund të arrinte të bënte fëmijë prej vitesh. Ky ka qenë shkaku për të cilin vjehrri dhe dhëndri janë grindur me njëri-tjetrin.

Vjehrri, duke qenë se nuk kishte asnjë fëmijë djalë, i ka kërkuar dhëndrit të mos ia japë djalin të vëllait, por të lindë një fëmijë të tretë për të. Çlirim Kasaj nuk e ka pranuar propozimin e vjehrrit, dhe në një moment tensioni i ka vënë flakën shtëpisë duke e spërkatur me benzinë.

30-vjeçari, Çlirim Kasaj është shoqëruar në Komisariatin e Policisë në Elbasan. I porsalinduri është në shtëpinë e vëllait të Kasajt, pasi është dhuruar nga i vëllai i tij.