Mediu: Opozita të ngrejë shqiptarët në këmbë, për të sjellë shtetin në binar Kushtetues

Flet për “Koha Jonë”, kreu i PR-së, Fatmir Mediu: Dialog me ndërkombëtarët, jo dialog për pazar të fëlliqur me Ramën

Intervistoi: Redjon Shtylla

Kuvendi mori pushimet duke mbajtur në xhep ligjin për Magjistratët. Por a do të ulet opozita në një tavolinë me maxhorancën për të çuar përpara Reformën në Drejtësi? Për Fatmir Mediun, nuk mund të bëhet dialog me maxhorancën ne kurriz te Kushtetutes,  pasi për të do të jetë një pazar i fëlliqur.

Në një intervistë për “Koha Jonë”, kreu i PR-së, thotë se opozita duhet të ngrejë shqiptarët në këmbë për të sjellë vendin në binar Kushtetutes: “Opozita duhet të ngrejë në këmbë gjithë shqiptarët kumder shkatërrimit  te Shtetit dhe zhvlerësimit te kushtetutës, pasi pasojat mbi shqiptarët, liritë dhe të drejtat e tyre do jenë të padiskutueshme”.

Për propozimin e BE-së në Tiranë që kuvendi të mblidhet në seancë të jashtëzakonshme, Mediu vë theksin se “nuk mund të bëhemi pjesë e BE-së, pa kushtetute dhe trajtoheni si qytetarë të dorës së dytë”. Për alarmin se po rrëzohen Gjykatat, kreu i PR-së i përçon thirrjen Presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta dhe Zaganjorit, në cilësinë e kryetarit të Gjykatës së Lartë, ku për të fundit Mediu shton se duhet “të flasë jo si politikan por gjyqtar me eksperiencë për pasojat e mosfunksionimit të kësaj gjykate dhe rrënimit të gjyqësorit”.

Dialogu dhe bashkëpunimi me opozitën, është një nga kushtet e dhëna nga Këshilli i BE-së. Duhet të ulet opozita në një tavolinë siç LSI-ja propozoi me maxhorancën por pa kushtet që deklaroi z.Basha për të bërë të mundur pranimet e reja në Shkollën e Magjistraturës?

Dialogu në politikë është i domosdoshëm por ky dialog është jo vetem i pavlefshëm por është i dëmshëm, nëse i shërben shkatërrimit të Shtetit, zhvlerësimit të Kushtetutës, kapjes së gjyqësorit. Asnjë person, lider apo parti politike nuk e ka këtë të drejtë, kushtetuta është kompromisi social i shqiptarëve dhe askush nuk mund të qëndrojë mbi te. Nëse nuk do kishim këtë marrëveshje baze atëherë, ky nuk do ishte dialog por pazar i fëlliqur politik.

Opozita duhet të ngrejë në këmbë gjithë shqiptarët për shkatërrimin e Shtetit dhe zhvlerësimin e kushtetutës, pasi pasojat mbi shqiptarët, liritë dhe të drejtat e tyre do jenë të padiskutueshme. Amendamenti që kërkohet për Shkollën e Magjistraturës s’ka asnjë lidhje me Gjykatën Kushtetuese, apo Gjykatën e Lartë as edhe të Apelit por vetëm me gjykatat e faktit.

Opozita duhet të bëjë dialog me ndërkombëtarët në Berlin, Londër, Washington dhe Bruksel, duke kërkuar mbështetjen për ta sjellë vendin në binarët kushtetues. Kam bindjen se kushdo që e do sadopak Shqipërinë do vinte duart në kokë që kompetencat e pushtetit gjyqësor të rrëmbeheshin nga Kryeministri. Opozita duhet të veprojë shpejt, çdo vonesë do ketë pasoja të pakthyeshme. Rama në ligësinë e tij di se çfarë bën, opozita në emër të shtetit duhet të dijë se çfarë të kërkojë dhe veprojë.

BE-ja në Tiranë propozoi që ligji për Magjistrantët të kalojë me një seancë të jashtëzakonshme, ose me përparësi në shtator. Si e shihni zgjidhjen e këtij ngërçi?

BE-ja në Tiranë duhet të na thotë se a ka ndonjë vend të BE-së, kandidat për BE që nuk ka gjykatë të Lartë, nuk ka gjykata me pretendimin qoftë edhe të drejtë, sepse ka korrupsion në gjyqësor dhe kryegjyqtar, kryeprokuror është Kryeministri. Po të më thonë qoftë një vend të vetëm dhe do jem i pari që do votoj ata që kërkojnë. Shqiptarët e kanë përjetur për 45 vjet diktaturën komuniste por të paktën formalisht Enver Hoxha kishte gjykata dhe Prokurori.

Shqiptarët duhet të refuzojnë që në emër të “qëllimeve të mëdha” të konsiderohen dhe trajtohen si njerëz të dorës së dytë. Ne nuk jemi më të pavlefshëm se kroatët bashke me ta punuam në A3 për t’u bërë vend anëtar i NATO-s. NATO po ashtu është familje e vlerave dhe institucioneve demokratike ku janë pjesa më e madhe e vendeve të BE dhe SHBA e Kanada, në kështu si po veprojmë po vendosim në pikëpyetje dhe ata që i kemi realizuar me mund dhe sakrifica, nuk mund të bëhemi pjesë e BE-së si qytetarë të dorës së dytë. Korri i turpit i ngritur nga qeveria se nuk ka se çfarë duhen gjykatat se janë të korruptuara, është korri i manipulimit dhe instalimit të demokraturës në rastin më të keq dhe i paditurisë në rastin më të mirë.

Kjo situatë ka ardhur për një arsye sepse PS-ja dhe Rama ka sabotuar në mënyrë të qëllimshme ngritjen e KLGJ dhe KLP dhe miratim të 6 ligjeve antikushtetuese pa miratimin e opozitës.

Sot vendi është pa gjykatë Kushtetuese dhe jashtë funksionit praktikisht është edhe Gjykata e Lartë. A keni një ide se kur këto organe do të jenë në funksion, apo çdo gjë do të jetë në varësi të kompletimit të Vetting-ut të gjyqtarëve dhe të prokurorëve?

Kam një thirrje për Presidentin e Republikës z.Meta: Të mos dekretojë asnjë ligj të miratuar në Kuvend, i cili kontestohet për mospërputhje me kushtetutën nga opozita. Presidenti është garant i Unitetit të popullit. Gjykata Kushtetuese është garante e Kushtetutës, në mungesë të saj Presidenti duhet të garantoj unitetin në mbrojtje të Kushtetutës.

Pa gjykatë kushtetuese një Parlament normal do pushonte së funksionuari, sepse ndryshe ai kthehet siç është kthyer në noter të krimit dhe korrupsionit qeveritar. Gjykata e Lartë për shkak të bllokimit ka 26000 dosje pa shqyrtuar kjo është e papranueshme mosfunksionimi i kësaj Gjykate do thotë cenim i drejtpërdrejtë i të drejtave civile dhe penale të qytetarëve.

Do i bëja thirrje z.Zaganjori, në cilësinë e kryetarit të Gjykatës së Lartë të flasë,  jo si politikan por gjyqtar me eksperiencë për pasojat e mosfunksionimit të kësaj gjykate dhe rrënimit të gjyqësorit, po ashtu duhet te bertase kryetari I Gjykates Kushtetuese. Keto dite kam postuar një qëndrim të Kryetares së Gjykatës së Lartë të Polonisë të një gjyqtare që detyrën dhe vendin, respektimin e Kushtetutës e ka mbi çdo interes politik.

Opozita akuzon se ndërkombëtarë janë bërë patericë e qeverisë së krimit. Nga vjen kjo mbështetje e të huajve ndaj qeverisë “Rama 2” dhe si e parashikon opozita pozicionin e saj në këtë pikë?

Ndërkombëtarët është një term shumë i pergjithahem. Opozita nuk mund të qahet apo akuzojë se ndërkombëtarët janë të manipuluar nga Rama. Opozita duhet të ketë marrëdhënie permanente me ndërkombëtarët, t’i informojë për situatën në vend. Kjo nuk bëhet nga Tirana apo kur kemi ne nevojë, duhet të jetë një marrëdhënie e përhershme dhe intensive, përndryshe të vërtetën tonë do ta plotësojë gënjeshtra e qeverisë e cila ka në dorë mjete dhe mundesi më të mëdha. Kjo situatë komplikohet dhe për faktin se sot Shqipëria është fare pak ose aspak ne radarin e çështjeve të mëdha që u kushtohet interes.

Nga ana tjetër e përsëris, ata ndërkombëtarë që e mbështesin këtë situatë, duhet të na thonë se ku ndodh kjo që po ndodh në Shqipëri. Korrupsion në sistemin Gjyqësor ka pasur dhe ka në Kroaci, në Rumani, Bullgari, Serbi, Hungari. Të na thonë se kur dhe ku për shkak të korrupsionit në gjyqësor është shuar sistemi gjyqësor.

Po këta ndërkombëtarët thonë që në Shqipëri ka korrupsion masiv në qeveri dhe lidhje me trafikun e drogës. Por pyetja është kush do ta hetojë dhe luftojë korrupsionin? Të korruptuarit, të lidhurit me krimin do hetojnë dhe gjykojnë vetëm??!!! Të na thonë një vend të BE-së ku një qeverisje e korruptuar apo e lidhur me drogën i ka bërë gjyqin vetes.

Kemi përpara një vit zgjedhor dhe ndër vite kemi pasur shumë përplasje opozitë-mazhorancë, apo anasjelltas. A do të arrihet të përkthehet ndryshe kjo sjellje në selitë e qeverive të BE-së, me qëllim për të arritur një përshtypje më pozitive për të marrë çeljen e negociatave?

Nuk mendoj se BE-ja është çështje përshtypjesh, por standardesh. Nëse është kështu që ne varemi se çfarë përshtypje i bëjmë BE-së dhe jo çfarë standardesh Europiane ndërtojmë për shqiptarët, atëherë fatkeqësisht ne do jemi nëse do vijë ajo ditë “Tualeti” i BE-së. Nëse ne mendojmë se duhet ti bëjmë përshtypje BE-së dhe jo të krijojmë institucione të forta në respektim të kushtetutës, të ndërtojmë një ekonomi të qëndrueshme dhe shtet të së drejtës, atëherë kemi gënjyer vehten jo BE-në. Kjo lojë e qeverisë është sa fëminore, që shqiptarët duhet ta përbuzin.