Manastirliu: Së shpejti 32 autoambulanca të reja në territor

100 autoambulanca të Urgjencës Kombëtare janë pajisur me mjetet e reja jetëshpëtuese, duke ngritur në një standard të ri shërbimin e urgjencës në territor.

Në aktivitetin “Modernizimi I Urgjencës Kombëtare” një vit pas krijimit të Njësisë së Koordinimit të Urgjencave, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu deklaroi se në 6 muajt e parë të vitit 2018  është rritur me 14% mbulimi i territorit me autoambulanca, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke ulur kohën e pritjes për shërbimin e urgjencës në 17-19 minuta.

“Prezantojmë sot një risi sa i takon shërbimit të urgjencës paraspitalore. 100 autoambulanca në territor janë pajisur me sete mjekësore moderne, me të gjitha mjetet e reja jetëshpëtuese, duke filluar nga setet për traumën, setet e intubimit, sete medikametesh, sete mjekimi, aparaturat për matjen e parametrave jetësor, duke garantuar një standart të ri shërbimi për qytetarët”, tha Manastirliu.

Një tjetër risi e prezantuar e prezantuar sot për shërbimin e Urgjencës Kombëtare është standartizimi i uniformave të personelit të urgjencës së Tiranës.

“Shërbimi i urgjencës mjekësore tashmë ka uniforma të standartizuara, që i japin një fytyrë të re, dinjitoze, urgjencës kombëtare. E kemi filluar nga Urgjenca e Tiranës dhe Njësia e Koordinimit, për të vijuar me Durrësin dhe me të gjithë Shqipërinë”, u shpreh Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Manastirliu deklaroi gjithashtu se do të pasurohet flota e autoambulancave në territor.

“Brenda vitit do të kemi 32 autoambulanca të reja, moderne, plotësisht të pajisura me mjetet jetëshpëtuese -defribilator, bombula oksigjeni, aspirator, etj- që padyshim do të sjellin një cilësi të re shërbimi për qytetarët”, tha Manastirliu.

Gjatë aktivitetit, u prezantuan gjithashtu të dhënat e Njësisë së Koordinimit sa i takon përgjigjes ndaj urgjencave mjekësore.

Me ngritjen e kësaj njësie, numri i thirrjeve është katërfishuar, duke u kryer 187 mijë shërbime. Me sistemin e ri të koordinimit nuk ka asnjë thirrje të humbur, pasi për qytetin e Tiranës, sot janë aktive 60 linja, e thënë ndryshe 60 persona mund të jenë paralelisht në linjë duke mos ju shfaqur askujt linja e zënë, sic ndodhte më parë.

Këto të dhëna janë përkthyer në më shumë shërbime në territor për urgjencat mjekësore. 30 mijë misione me autoambulancë/vit kundrejt jo më shumë se 10 mijë që kryheshin më parë.

Ministrja Manastirliu u ndal edhe te roli shumë I rëndësishëm sa I takon koordinimit të shërbimit të urgjencës gjatë sezonit turistik. Që prej hapjes së 26 qendrave shëndetësore verore 17,364 pushues kanë marrë shërbim mjekësor dhe janë kryer 510 shërbime me autoambulancë në zonat turistike nga një staf i kualifikuar dhe i trajnuar për dhënien e ndihmës së parë.

Manastirliu deklaroi gjithashtu se investimet në urgjencën kombëtare do të vijojnë jo vetëm në urgjencën paraspitalore por edhe në urgjencat e spitaleve, me investimet e mëdha që nisin së shpejti për ndërtimin e spitalit të ri të  urgjencës dhe patologjisë të Elbasanit, përfundimin e urgjencës së spitalit të Dibrës, etj.

Në mbyllje të fjalës së saj, Ministrja Manastirliu bëri një falenderim të veçantë mjekët dhe infermierët e shërbimit të urgjencës që punojnë cdo ditë,  për të shpëtuar jetë!