Bushati: Për Teatrin është bërë shumë teatër!

Ka ardhur një përgjigje e parë nga qeveria në lidhje me kthimin e ligjit për Teatrin nga ana e Presidentit Ilir Meta. Ai që ka reaguar është Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, i cili është pyetur nga Zëri i Amerikës gjatë një interviste të dhënë në SHBA. Bushati është shprehur se Presidenti ka kryer një veprim korrekt që ja njeh Kushtetuta, por nga ana tjetër ka thumbuar opozitën duke thënë se për Teatrin Kombëtar është bërë shumë teatër.

Bushati ka theksuar se kthimi i ligjit do i shërbejë Kuvendit shqiptar për të shqyrtuar argumentat e dhëna nga Kreu i Shtetit dhe në shtator do të jepet një verdikt nga ana e Parlamentit (maxhorancës).

Bushati: Presidenti ka shfytëzuar një prerogativë që ja njeh Kushtetuta, nuk jam njohur në detaje me argumentet që ka dhënë Presidenti. Mendoj që gjithë kjo kohë do të shfytëzohet për të shqyrtuar të gjitha sugjerimet dhe kundërështitë që ka rreshtuar Presidenti.

Për teatrin ka patur shumë Teatër, por është e rëndësishme që të mbrohet interesi publik, pasi kjo nuk është një çështje që i përket vetëm artistëve. Mendoj që të gjitha institucionet kanë folur por ne do të ndjekim të gjithë procedurën ligjore. Kuvendi do të flasë në shtator besoj për këtë çështje.

Duket pak e nxituar deklarata e Veliajt duke patur parasysh se ai nuk është anëtar i parlamentit?!

Bushati: Kjo çështje nuk është një nga ato reforma që kanë të bëjnë me konsolidimin e shtetit, por nga ana tjetër kjo deklaratë e kryetarit të bashkisë vjen në vazhdën e faktit se projekti është i Bashkisë së Tiranës. Normale është që ai të japë një opinion për këtë çështje.