Policia kufitare ashpërson masat: Fëmijët ndalohen të ikin jashtë shtetit pa prindërit

Policia kufitare nuk lejon udhëtimin e fëmijëve jashtë vendit, nëse ata nuk janë të shoqëruar me prindërit ose me të afërm që janë pjesë e brezit të parë të familjes.

Vetëm në Rinas nuk janë lejuar të udhëtojnë ditët e fundit 16 fëmijë. Ky urdhër vjen për të parandaluar braktisjen e fëmijëve në vendet e BE dhe për të mos lejuar kërkimin e azilit në këto vende.

Brenda 10 ditëve të fundit, 16 fëmijë nuk janë lejuar në Rinas të udhëtojnë jashtë shtetit me të afërmit e tyre. Një urdhër i Policisë së Shtetit, ndalon udhëtimin me të afërmit jashtë Shqipërisë për të gjithë fëmijët e mitur.

Urdhri thotë se pavarësisht se mund të kenë një prokurë nga prindërit dhe një biletë vajtje-ardhje, fëmijët poshtë 18 vjeç, nuk mund të largohen jashtë vendit përveçse me brezin e parë të familjes.

Kjo do të thotë se prindërit me prokurë mund t’i çojnë fëmijët jashtë Shqipërisë, vetëm nëse ata udhëtojnë me xhaxhain, hallën, tezen ose dajën. Edhe në këtë rast prokura duhet të jetë e firmosur nga të dy prindërit. Për këtë arsye Policia u bën apel prindërve që të mos i nisin fëmijët në udhëtime me të afërm të tjerë, pasi ata nuk do të lejohet të largohen.

Në Rinas kanë qenë të shumtë fëmijët që nuk janë lejuar të udhëtojnë muajin e fundit, por urdhri i policisë po zbatohet edhe në pikat e tjera kufitare.

Ky urdhër i Policisë është bërë për të parandaluar fenomenin e braktisjes së fëmijëve në vendet e BE dhe më pas kërkojnë azil në këto vende, duke patur mundësinë të tërheqin edhe familjen.