Mustafaj: Drejtësia duhet të jetë mbi sunduesin. Rama po refuzon gjithçka!

Publicisti Besnik Mustafaj i ftuar në News24, foli për dy reforma për të cilat ka diskutime të vazhdueshme, atë në Drejtësi dhe atë Zgjedhore.

Për sa i përket Reformës në Drejtësi, Mustafaj tha se po shihet një refuzim total nga Rama përsa i përket bashkëpunimit në këtë pjesë.

Sipas Mustafajt, kryeministri duhet të rifitojë sërish besimin e opozitës për votimin e ligjeve në parlament.

“Rama po kërkon të marrë në tërësi pushtetin e drejtësisë. Ky është shqetësim shumë i madh, se ka shumë ligje që lidhen me reformën në drejtësi. Drejtësia është një organizëm që ka nevojë për mirëbesimin e të gjithë opinionit publik.

Ajo duhet të jetë mbi sunduesin. Detyra kryesore i del Ramës për të zhdukur këtë mosbesim që lidhet me Ramën por edhe strukturat politike të mazhorancës. Shkolla e Magjistraturës nuk do hapet në shtator, nëse votohet ligji. Por shoh refuzim total nga Rama për të kuptuar përgjegjësinë e vet. Ai ka një tendencë të dali i larë nga gjërat dhe fajin t’ia hedhë opozitës.

Pamë përfaqësuesit e BE që kërkuan mbledhje të jashtëzakonshme të parlamentit për të votuar ligjin e magjistraturës. Nëse Rama duan që t’i shkojnë deri në fund me cilësi Reformës në Drejtësi duhet të bëjnë gjithçka për të fituar besimin e opozitës”.

Ndërsa për sa i përket Reformës Zgjedhore, Mustafaj tha mungesa e dëshirës për lista të hapura në zgjedhje vjen nga dy lidershipët e partive të mëdha.

“Këshillat që kanë dalë nga OSBE-ODIHR që dolën nga viti 2013, nuk u zbatuan as në vitin 2017, kjo tregon se reforma është bipartizane. Përgjegjësinë kryesore për zgjedhjet e ka shumica, Rama po tregon se ose nuk do ose nuk është i aftë për ta kryer këtë reformë. Shpresën kryesore të zgjedhjeve më të mira do doja ta shihja te administrimi i tyre, mjetet që do përdoren në fushatë.

Nga Basha nuk kam vënë re se ka ndonjë nevojë për ndryshim të madh në reformën zgjedhore përveç votimit dhe numërimit elektronik, nuk ka një koncept të qartë për këtë. Po të kishim lista të hapura edhe i 33-ti në Tiranë, mund të dalë i pari nëse merr vota me shumë, i fundit i listës mund të dalë i parë. Pengesë për këtë është vetë lidershipi i partive të mëdha,” tha Mustafaj.