Braimllari: Rama po përlan pronën e Gardës, po pastron paratë e drogës

Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Endrit Braimllari, akuzon Kryeministrin Edi Rama se po përlan pronën e Gardës me qëllim për të pastuar paratë e drogës. Në një status në facebook, deputeti i LSI-së, nënvizon se plani i qeverisë është vjedhja e pronës publike, siç po ndodh me Teatrin Kombëtar.

Braimllari thotë se Rama po i bën këto, pasi në vend nuk ka më Gjykata ku të ankimosh këto vendime. ”Po përdor Vetting-un si mjet presioni për çdo Gjykatës dhe Prokuror. Skema e këtij hajduti ka qenë e qartë: pasi kanabizoi vendin, tani po tjetërson çdo pronë publike në vend me qëllim pastrimin e parave të drogës”.

Ndaj dhe thirrja e tij për shqiptarët është për largimin e kësaj qeverie. ”Në këtë gjendje që ky Kryeministër e ka çuar vendin ka vetëm një rrugë ta shporrim një orë e më parë sepse është kthyer në fatkeqësi kombëtare duke shkatërruar shtetin e së drejtës”.

Postimi i plotë

Kryeministri vazhdon hajdutërinë e pronës publike.

Pasi dhunoi Kushtetutën me zgjedhjen e Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme me 69 vota, shkatërroi Gjykatën Kushtetuese, Gjykatën e Lartë dhe të gjithë sistemin e drejtësisë në vend. Tani po përgatitet për një akt tjetër të hajdutërisë së pronës publike.

Pronën e Gardës së Republikës do ja kalojë Bashkisë së Tiranës. Qëllimi i tjetërsimit të kësaj prone publike është i qartë për të ndërtuar më pas kulla klienteliste me qëllim që ky Kryeministër të pastrojë paratë e drogës. Është e qartë skema e këtij hajduti të pronës publike, atë çka po tenton të bëj me Teatrin Kombëtar tani kërkon ta bëjë me çdo institucion shtetëror.

Aktin e hajdutërisë së pronës publike po tenton ta bëjë me shpejtësi të madhe pasi në vend nuk ka më Gjykata ku të ankimosh këto vendime. Po përdor Vetting-un si mjet presioni për çdo Gjykatës dhe Prokuror. Skema e këtij hajduti ka qenë e qartë: pasi kanabizoi vendin, tani po tjetërson çdo pronë publike në vend me qëllim pastrimin e parave të drogës.

Në këtë gjendje që ky Kryeministër e ka çuar vendin ka vetëm një rrugë ta shporrim një orë e më parë sepse është kthyer në fatkeqësi kombëtare duke shkatërruar shtetin e së drejtës.