Raporti i DASH, Rrokaj: Këmbanë alarmi për ekonominë shqiptare

Deputeti i LSI-së, Shezai Rrokaj ka reaguar pas deklaratës së Departamentit Amerikan të Shtetit, i cili e cilëson Shqipërinë si vend të pasigurtë për investime.

Në një postim në Facebook Rrokaj shkruan se vendimi i DASH-it për heqjen e Shqipërisë nga harta e vendeve mike për të bërë biznes është këmbanë alarmi për ekonominë shqiptare.

Më tej ai thekson se “oligarkët e kanë kapur për fyti Qeverinë dhe i bëjnë presion për mos pasur konkurrentë të huaj, duke e kthyer Shqipërinë në disa çifligje të një grupi njerēzish, miq të PPP-ve”.

Postimi i plotë i deputetit Shezai Rrokaj

Vendimi i DASH-it për heqjen e Shqipërisë nga harta e vendeve mike për të bërë biznes është këmbanë alarmi për ekonominë shqiptare.

Dhoma amerikane e tregtisë është shprehur disa herë për klimën e disfavorshme ndaj biznesit të huaj që Qeveria shqiptare ka treguar me taksat e larta, pasigurinë juridike dhe trajtimin me dy standarde të bizneseve, duke i bërë gjithmonë e më shumë të painteresuara bizneset e huaja për të investuar në Shqipëri.

Nga ana tjetër, oligarkët e kanë kapur për fyti Qeverinë dhe i bëjnë presion për mos pasur konkurrentë të huaj, duke e kthyer Shqipërinë në disa çifligje të një grupi njerēzish, miq të PPP-ve. Ligji për teatrin, ku u parapërzgjodh me ligj fituesi, në kundërshtim me rregullat e ekonomisë së tregut për konkurrim të hapur dhe transparent, që bie ndesh me traktatet e nënshkruara nga Shqipēria, tregoi se kjo Qeveri po e mbyll vendin ndaj investimeve të huaja.

Dhe kur këtë gjë e thotë miku më i madh i shqiptarëve, SHBA-ja, kjo dëshmon se Qeveria po e fut ekonominë në një impas, që gradualisht po zbaton parimin komunist ‘të ndërtimit të vendit me forcat e veta’.