18 muaj për anëtarësim e Maqedonisë në NATO

Dejtori për partneritet global të NATO-s, James McKee vlerëson se Maqedonisë i duhen të paktën 18 muaj për t’u bërë anëtare e 30 e NATO-s. Me vizitën e tij në Maqedoni zyrtarisht fillon edhe procesi i bisedimeve para-aderuese.

McKee ka zhvilluar takime me të gjithë ministrat e Qeverisë dhe me Kryeministrin Zaev me qëllim që të njihet nga afër me gatishmërinë e Qeverisë së Shkupit për bisedimet dhe të njoftohet me rrjedhën e reformave.

Vendi i fundit që u anëtarësua në NATO ishte Mali i Zi, në qershor të 2017. Ndërsa Shqipëria dhe Kroacia, u bënë anëtare në vitin 2009. Në vitin 2004 NATO-ja pranoi së bashku si anëtarë të saj Bullgarinë, Estoninë, Letoninë, Lituaninë, Rumaninë, Sllovakinë dhe Slloveninë. Çekia, Polonia dhe Hungaria qenë shtetet e para nga ish-blloku lindor që u anëtarësuan më 1999 në NATO.