Digjet Athina, deri tani 80 të vdekur nga zjarri (FOTO-VIDEO)

E paimagjinueshme ajo ç’po ndodh në Athinë. Ndërkohë që Shqipëria mbytet nga uji e bresheri, në Athinë digjen banesat dhe pyjet nga zjarri.

Ka arritur në përmasat e tragjedisë numri i të vdekurve nga zjarret që përfshinë rrethinat e periferisë së Athinës gjatë orëve të pasdites të së hënës. Numri i viktimave ka shkuar të paktën 80, sipas raportimeve deri në orën 17:00 të së martës.

Vetëm në një vend pranë një restoranti në Mati të Atikës janë gjetur 26 trupa njerëzish të djegur, midis tyre edhe fëmijë, ndërsa 150 persona ndodhen në spital, 15 prej të cilëve në gjendje të rëndë për jetën.

Dyshohet se mes viktimave ka edhe shqiptarë. Ambasada Shqiptare në Athinë deklaroi se nuk kishte të dhëna për qytetarë shqiptarë që kanë humbur jetën, por vetëm për disa të lënduar.

Më herët, roja bregdetare njoftoi se ka shpëtuar më tepër se 700 persona nga plazhet e zonës së Rafinës, ndërkohë që ende mbetet pa sqaruar numri i personave të djegur, pasi ekipet e emergjencës po hyjnë zonën e djegur duke kontrolluar krejt vendin ku zjarri bëri kërdinë.

Gjatë orëve të natës në zonën Artemidhas u gjetën 4 persona të mbytur, ndërsa dëshmitarë okulare thanë se në ujë janë hedhur dhjetëra persona, fati i të cilëve është i pa ditur.    

Ambasada shqiptare në Athinë së fundmi raporton se është gjetur e shkrumbuar makina e një shqiptari. Gazetarja Ira Londo raporton për “BalkanWeb” nga Greqia se duke iu referuar komuniteti shqiptar atje mësohet se në mesin e viktimave janë edhe 5 shqiptarë, mes të cilëve tre burra dhe dy fëmijë.   Tre burrat shqiptarë janë djegur në një restorant, ishin të punësuar aty. Gjithashtu mësohet se janë djegur edhe disa shtëpi të shqiptarëve në Greqi. Ende nuk ka konfirmim zyrtar për shqiptarët që kanë humbur jetën. “Ankesat ndaj shtetit janë të mëdha pasi nuk mundën të parandalonin një katastrofë të tillë. Janë gjetur edhe të mbytur në det, 2 gra dhe një fëmijë në përpjekje për t’u larguar nga zjarri, por kanë përfunduar në det. Ajo që është më tragjike është se çdo gjë ndodhi për 3-4 orë. Forcat policore dhe zjarrfikësit po punojnë për shuarjen e flakëve, por ato qe do të gjenden do të jenë vetëm viktima,” tha gazetarja.

LAJME TË TJERA PËR SITUATËN NË ATHINË

Griechenland Waldbrände | Kineta (Getty Images/AFP/V. Gache)
Griechenland Waldbrände | Kineta (picture-alliance/XinHua/L. Partsalis)