Manastirliu: Përmirësimi i ligjit, hapi i duhur për të forcuar masat ndaj dhunës në familje

“Me urdhrin për masat paraprake të mbrojtjes së menjëherëshme, një element i përfshirë për herë të parë në ligjin për masat ndaj dhunës në familje, sigurohet mbrojtje e menjëherëshme për viktimën e dhunës, deri në daljen e vendimit nga gjykata”.

Kjo është një ndër risitë që parashikon ligji i ndryshuar “Për masat ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”, i prezantuar nga Ministrja Manastirliu në Kuvend.

Duke theksuar rëndësinë e përmirësimit të këtij ligji, Manastirliu deklaroi nga foltorja e Kuvendit se do të garantohet mbrojtje më e mirë, sidomos për kategoritë vulnerabël.

“Zbatimi i ligjit të përmirësuar do të ketë efekte të menjëherëshme në parandalimin dhe reduktimin e rasteve të dhunës në familje, në të gjitha format e saj, duke garantuar dhe masa të tjera të nevojshme për anëtarët e tjerë të familjes të cilët janë viktima të dhunës, me vëmendje të veçantë te gratë, fëmijët, të moshuarit dhe personat me aftësi të kufizuar”, tha Manastirliu.

Ligji i ri zgjeron mbrojtjen për gratë dhe vajzat që janë viktima të dhunës. “Ky ligj për herë të parë do të veprojë edhe në rastet e dhunës në marrëdhëniet intime, jo detyrimisht të përcaktuara si lidhje gjaku apo martese, apo bashkëjetese, duke garantuar mbrojtje efikase për gratë dhe vajzat”, tha Manastirliu.

Ndër risitë e tjera që parashikon ligji për masat ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare është edhe përmirësimi i masave mbrojtëse për fëmijët, pasi, me urdhrin e mbrojtjes për nënën, automatikisht do të garantohet urdhri i mbrojtjes për fëmijët, edhe nëse mbi ta nuk është ushtruar dhunë e drejtpërdrejtë. Gjithashtu ky ligj përcakton afate të qarta proceduriale për regjistrimin e kërkesës të urdhërit të mbrojtjes dhe urdhërit të menjëherëshëm të mbrojtjes si dhe për ankimet ndaj vendimeve gjyqësore, duke eleminuar zvarritjet e proceseve gjyqësore dhe duke siguruar më shumë mbrojtje për viktimat e dhunës.

Ligji parashikon edhe detyrimin e organeve shtetërore për të ofruar falas çdo shërbim ekspertize për rastet e dhunës në familje, duke filluar nga shërbimi i ekspertizës psiko-sociale, mjeko-ligjore, etj, shërbime që nuk do të ndikojnë më në proces, pasi do të ofrohen nga shteti dhe më pas fatura për këto shërbime do të jetë e dhunuesit.

Efektet që sjell ky projektligj prekin jo vetëm sistemin e mbrojtjes për viktimat por gjithashtu parashikohen dhe shërbime rehabilituese për dhunuesit, me fokus të veçantë dhunuesit e alkoolizuar, të droguar apo me probleme të shëndetit mendor, të cilat do të jenë qartësisht të shprehura në vendimet e gjykatave për lëshim e urdhrave të mbrojtjes.

Propozimet për ndryshimin e ligjit  që miratohet sot kanë kaluar përmes një procesi gjithpërfshirës, duke u prezantuar në tryeza konsultimi me të gjithë aktorët përgjegjës.

“Është një ligj që do të mbrojë më mirë palët, një ligj më mirë i përputhur me standartet ndërkombëtare, një ligj më i shpejt në veprim, një ligj më efektiv”, tha Manastirliu, duke ftuar të gjithë deputetët të votojnë ndryshimet ligjore që përmirësojnë ligjin për “Masat ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”.