Rovena Gashi bojkoton KPK-në: Vendimin e mora para 8 muajsh

Për të kaluar në sitën e Vetting-ut, sot radhën e ka Prokurorja Rovena Gashi por ajo i ka dërguar një shkresë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, ku i njofton se nuk do marrë pjesë në seancën dëgjimore si dhe as nuk do përfaqësohet nga avokat mbrojtës.

Sipas Gashit, KPK e ka marrë vendimin 8 muaj më parë, duke parashikuar kështu edhe një shkarkim të mundshëm të saj nga trupa e përbërë nga komisionerët Genta Tafa (Bungo), Lulzim Hamitaj dhe Pamela Qirko.

Ajo thekson gjithashtu se KPK është kthyer në arenë diskreditimi publik, ndërsa shton se ka zgjedhur të ndjekë në rrugë ligjore çështjen e saj, përpara një gjykate ku të dëgjohet.

Dy muaj më parë, Arta Marku pezulloi nga detyra Rovena Gashin dhe bashkëshortin e saj, Dritan Gina, për deklarim të rremë dhe fshehje pasurie. Sot, ish-drejtuesja e njësisë për dekriminalizimin në Prokurorinë e Përgjithshme del përpara Vettingut për pasurinë, pastërtinë e figurës dhe aftësitë profesionale.