Presidenti Ilir Meta dhe Presidentja kroate Kolinda Grabar-Kitaroviç vizitojnë “UKA Farm”

Përpara largimit nga Shqipëria në përfundim të vizitës 3-ditore në Shqipëri, Presidentja e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitaroviç e ftuar nga Presidenti i Republikës,  Ilir Meta, u ndal për një drekë në fermën model “UKA Farm”.

Dy Presidentët, pasi u pritën me kënaqësi edhe nga administratori i fermës, ish-ministri Bujqësisë, Prof. Rexhep Uka dhe familja e tij, shijuan mikpritjen tradicionale dhe prodhimet bio shqiptare në fermën model të agro-turizmit, kulinarisë, vreshtarisë si edhe atraksionet natyrore, që ofrohen për vizitorët e shumtë vendas e turistët e huaj.

Gjatë drekës u diskutua edhe për mundësitë e bashkëpunimit mes dy vendeve në fushën e bujqësisë, kulinarisë dhe turizmit, ndërkohë që të pranishëm ishin edhe deputetët, znj. Eglantina Gjermeni dhe Prof. Edmond Panariti, ish-ministër i Bujqësisë.