Heroina e Botërorit, presidentja kroate te Heroi ynë Kombëtar, Skënderbeu

Presidentja kroate, Kolinda Grabar-Kitarović, pas ndalesës dje në Berat, ka zhvilluar sot një vizitë në qytetin e Krujës.

Kryetarja e shtetit kroat ndodhet këto ditë ne një vizitë zyrtare në Shqipëri, me ftesë të Presidentit Ilir Meta.

Kolinda Grabar-Kitarović është një politikane e njohur e rajonit, por edhe një personalitet që tërhoqi vëmendjen gjatë kampionatit botëror të futbollit. Kolinda Grabar-Kitarović e shoqëroi ekipin kroat në të gjitha ndeshjet, deri në finale, duke u kthyer në një politikane model dhe frymëzuese për kombin e saj, por edhe gjithë tifozët e ekipit të Kroacisë. Ajo u kthye në një ikonë, jo vetëm bukurie, por edhe një model i ri politikani botëror, jashtë formës protokollare strikte. Me sa duket nga zhdervjelltësia e saj mori guxim edhe Presidenti Francez Macron, ku u hodh nga goli i francezve, aqsa foto e Macron u bë foto e ditës në rrjetet sociale.

Presidentja kroate ka parë sot nga afër memorialin e heroit kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe është njohur me ngjarjet kryesore historike që kanë ndodhur në Krujë gjatë qëndresës së shqiptarëve kundër pushtimit osman.

Në vizitën e saj zyrtare treditore në Shqipëri, Presidentja kroate ka vlerësuar rëndësinë e figurës së Skënderbeut për rajonin. Ajo ka deklaruar se për kontributin që ka dhënë kjo figurë historike e Shqipërisë, Skënderbeu është nderuar me çmim të veçantë në qytetin kroat të Dubrovnikut.

Për kontributin e veçantë që Kolinda Grabar-Kitarović ka në marrëdhëniet mes dy vendeve, Presidenti Ilir Meta i dha asaj dekoratën e lartë të “Flamurit Kombëtar”. Ndërsa Bashkia e Beratit e nderoi dje me titullin”Qytetare Nderi”.

Po sot, Bashkia e Tiranës dhe kryebashkiaku Veliaj, në shenjë mirënjohje i dorëzoi “Çelësin e Qytetit”.

Vizita e Presidentes kroate në Krujë është cilësuar dhe nga Presidenti Ilir Meta si shenjë e marrëdhënieve të forta historike mes dy shteteve. Në një mesazh në Facebook, Presidenti shprehet: “Presidentja e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitarović na nderoi me vizitën në kalanë e heroit tonë kombëtar në Krujë. Viti Mbarëkombëtar i Skënderbeut na kujton rrënjët mesjetare të bashkëpunimit me Raguzën, Dubrovnikun e sotëm, aty ku #Skënderbeu dhe djali i tij ishin “Qytetarë Nderi”. Faleminderit Presidentja Grabar-Kitarović!  🇦🇱🤝🇭🇷

Foto nga vizita e Presidentes kroate në Shqipëri: