Çfarë po ndodh? 7 ngarkesa me pula të ngordhura nga Greqia

Një raport i thelluar për sigurinë ushqimore në vend pritet të nxjerrë fakte tronditëse mbi cilësinë e tyre. Zyra e Mbrojtjes së Konsumatorit paralajmëron rezultatet e analizave. Në treg, do të ngelin vetëm të licencuarit

Në vendin tonë deri një vit e gjysmë më parë kanë hyrë shpendë, kryesisht pula që duheshin groposur në vendin fqinj, Greqi, por që pseudo tregtarë i kanë marrë e shitur këtu si të ishin të freskëta. Duke rrëzuar pretendimet e suksesshme të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit,e cila thotë se mishi i importuar që hidhet në treg është i sigurt, Stafa foli për 7 ngarkesa me mish “të kalbur” që ka hyrë në Shqipëri, prej të cilave janë kapur vetëm dy të tilla.

E si të mos mjaftonte kjo, shqiptarët vijojnë të konsumojnë mish dhe nënproduktet e qumështit nga bagëti të pa vaksinuara, të paregjistruara. Pikërisht në zonat e thella të Dibrës dhe Matit ku flitet së fundmi për shfaqjen e sëmundjes së plasjes, Hasa tha se 80 për qind e bagëtive janë të paregjistruara. Sa për qumështin më aflatoksinë, ai tha se i gjithë skandali për të cilin folën mediat erdhi pas veprimeve të disa segmenteve të caktuara për të dëmtuar konkurrencën e ndershme.

Jo vetëm temperaturat e larta, por edhe një sërë faktorësh të tjerë, po shkaktojnë vdekjen e ngadaltë të shqiptarëve,  të cilët konsumojnë çdo ditë ushqime të pakontrolluara, të skaduara dhe pa garancinë e organeve shtetërore. Zyra e Mbrojtjes së Konsumatorit ngre shqetësimin se në kryeqytet dhe në zonat pranë plazheve, po lejohen individë të shesin produkte pa vulë sigurie, produkte të cilat në mos të skaduara janë të predispozuara për të humbur vlerën ushqimore në çdo çast. Drejtuesi i kësaj zyre, Hasan Stafa në një intervistë për “Shekulli”-n tregon skemën e shitjes në kushte informaliteti dhe tregjet problematike, ndërsa zbulon edhe të dhënat paraprake të një raporti që do dalë pas kontrollit dhe analizave të ushqimeve që tregtohen në vend.

Z. Stafa, konsumi i ushqimeve në këtë periudhë shton riskun e helmimeve, jo vetëm për arsye klimatike, por edhe për arsye që në shoqërinë tonë ekzistojnë prej vitesh. A keni evidentuar ankesa të shtuara nga konsumatorët, sikundër edhe tregje problematike nga burojnë këto ankesa?

Në këtë periudhë është kulmi i ankesave nga konsumatorët. Një pjesë e tyre, të pandërgjegjësuar bien pré e shumë mashtrimeve, pasi nuk orientohen në zgjedhjen e produktit. Ata nuk dinë se cili produkt është më i ekspozuar dhe më i rrezikuar. Joshen nga çmimi apo vendi që kanë pranë kur blejnë. Produkt i rrezikuar nga temperaturat e larta në këtë periudhë është qumështi,  i cili në tregun informal vijon të tregtohet në mënyrë abuzive.

Në katër tregjet e bashkisë së Tiranës, (Ali Demi, Komuna e Parisit, Kinostudio dhe Ish-Uzina Dinamo) që në  orën 4:00 të mëngjesit tregtohet në formë abuzive, nga subjekte të pa licencuar të ashtuquajtur fermerë. Këta të fundit e shesin me bidonë plastikë, duke lënë gjurmë te konsumatori përmes sëmundjeve gastro-intensinale, skuqjeve në lëkurë apo të vjellave. Konsumatori, si viktimë e këtij abuzimi nuk di as ku të ankohet, sepse nuk ka në dorë asnjë provë, si p.sh kuponi tatimor.