Fshati pa rrugë, banorët në hall: Nuk vijnë vajzat për nuse

Është ironike sesi Shqipëria kërkon të jetë në BE, kur ka fshatra të izoluar edhe pse janë pak kilometra nga qendrat urbane. Këtë herë do tregojmë për fshatin Mushnik, një fshat i Rrogozhinës që duket sikur ”nuk lëviz”. Vetëm 8 km larg autostradës Rrogozhinë-Kavajë, 20 familje jetojnë në izolim të plotë, pa ujë, pa kanalizime, në kushte mbijetese.

Që të dalin për të kërkuar punë në qytet u duhet të përshkojnë së pari në këmbë një rrugë të vështirë prej 5 km. Të mbjellësh kushton më shtrenjtë në këtë fshat, sepse mjetet bujqësore kërkojnë më shumë para për shkak të rrugës.

Në Mushnik fajësojnë mjerimin për beqarinë. Asnjë nuse nuk vjen në fshat, thonë ata, ndaj sot ka edhe 50-vjeçarë pa familje. Jeta bëhet edhe më e vështirë në kohë shiu, kur uji nga kodrat përreth mblidhet në fshat, apo kur të sëmurët duhet t’i transportojnë deri në rrugën e makinës më këmbë ose me mushka.

Banorët presim që zyrtarët të vijnë të kërkojnë votën për zgjedhjet lokale, sikurse bënë shtatorin e kaluar dhe ashtu i kanë pritur çdo herë, pasi ata kujtohen për banorët në kohë zgjedhjesh.