Panariti: ”Vdiq” diplomacia ekonomike, qeveria bllokadë Kosovës

Ish-ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, shkruan në një postim në facebook se qeverisë i ka dështuar edhe diplomacia ekonomike. Deputeti i LSI-së, thotë se aplikimi i tarifës doganore 30% mbi eksportet e frutave perimeve të Shqipërisë nga ana e Kosovës, është një shkelje nga qeveria e ”Rilindjes”.

Ai thotë se kjo bllokadë duhet të marrë fund, pasi në vend që dy vendet të ishin model në rajon, për Panaritin kjo nuk ndodh për shkak të qeverisë ”Rama 2”.

”Duke dëmtuar rëndë interesat e shqiptarëve në të dy anët e kufirit. Në mënyrë simetrike Kosova, po zbaton masa tarifore për mallra dhe shërbime nga Shqipëria. Nje turp dhe papërgjegjshmëri për të dy vendet tona, të cilat duhet të ishin model në rajon, për bashkimin e vërtetë të tyre, atë ekonomik. Jepini fund kësaj bllokadë dhe çlirojini shqiptarët nga të dy anët nga pengesat dhe stërkëmbëshat e lëvizjes së lirë dhe të bërit biznes ose largohuni”,-shkruan Panariti në facebook.

Postimi i plotë në facebook

Vdiq integrimi me gjithë diplomacinë ekonomike! Pas dështimit të bujshëm të hapjes së negociatave me BE, vjen dështimi tjetër spektakolar i të ashtuquajturës diplomaci ekonomike, aq fort të propaganduar në konferenca e takime.

Sepse ende pa u shuar jehona e Samitit të Ballkanit Perëndimor në Londër, ku pika kryesore ishte forcimi i bashkëpunimit ekonomik, krijimi i hapësirave të përbashkëta ekonomike dhe lehtësimi i klimës së biznesit për vendet e rajonit, vjen aplikimi i tarifës doganore 30% mbi eksportet e frutave perimeve të Shqipërisë nga ana e Kosovës.

Ishte Qeveria e Rilindjes e cila shkeli e para marrëveshjet e nënshkruara me pompozitet me qeverinë e Kosoves, për lehtësimin dhe heqjen e barrierave tarifore dhe jo tarifore midis dy vendeve. Ajo i shkeli ato brutalisht, duke aplikuar tarifën e ”Rrugës së Kombit” deri në 20 euro për kamionët dhe mjetet e transportit të Kosovës.

Duke dëmtuar rëndë interesat e shqiptarëve në të dy anët e kufirit. Në mënyrë simetrike Kosova, po zbaton masa tarifore për mallra dhe shërbime nga Shqipëria. Nje turp dhe papërgjegjshmëri për të dy vendet tona, të cilat duhet të ishin model në rajon, për bashkimin e vërtetë të tyre, atë ekonomik. Jepini fund kësaj bllokadë dhe çlirojini shqiptarët nga të dy anët nga pengesat dhe stërkëmbëshat e lëvizjes së lirë dhe të bërit biznes ose largohuni.

/Koha Jonë/