Ligji i Teatrit të ri, Presidenti Meta: Nuk do ndikohem nga asnjë faktor

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta i pranishëm në takimin e parë të “Aleancës për Dhurimin e Gjakut”, i pyetur nga gazetarët për dekretimin e ligjit të ri për Teatrin, tha se nuk do të ndikohet nga asnjë faktor jashtë përgjegjësive që ka presidenti.

Dua t’iu siguroj që në çdo vendim nuk do të ndikohem nga asnjë faktor jashtë atyre përgjegjësive që ka presidenti në mbajtjen e qëndrimeve të tilla”, u përgjigj kreu i shtetit.

Ndërsa gjatë takimit, Kreu i Shtetit theksoi rëndësinë që ka ngritja e këtij rrjeti solidariteti në të gjithë vendin dhe apeloi për rritjen e numrit të dhuruesve vullnetarë të gjakut.

”Ngritja e një rrjeti të solidaritetit për dhurimin e gjakut në të gjithë Shqipërinë për përfshirjen e shoqatave dhe të kryetarëve të bashkive përmes organizimit të aktiviteteve të ndryshme publike si koncerte, apo aktivitete sportive duke u fokusuar sidomos në zonat më me prioritet ku dhe kërkesat janë më të mëdha, sidomos sa i takon kategorisë së Talasemikëve si Lushnja, Fieri etj. Krijimi i një mjedisi të përshtatshëm për dhuruesit e gjakut duke e bërë eksperiencën e dhurimit të gjakut një proces të sigurt. Sigurimi i dhuruesve që kontribuojnë rrallë duke i kthyer në kontribues të rregullt dhe krijimi i një statusi të veçantë për ta”, nënvizoi Meta.