Policia gjobit mediat, thirrja e PD-së: Denonconi diktatin dhe çensurën

Mëngjesin e sotëm, policia ka gjobitur mediat që transmetojnë direkt komisionet në Kuvendin e Shqipërisë edhe pse historikisht mediat kanë transmetuar live nga i njëjti vend me mirëkuptimin e Kuvendit. PD-ja e cilëson si të qëllimshme, ”pasi kështu i detyron ato të ndërpresin transmetimet nga Kuvendi i Shqipërisë”.

Në deklaratën e selisë blu, theksohet se: ”PD i bën thirrje Kuvendit që të krijojë kushtet normale që televizionet të transmetojnë me cilësi dhe të pacensuruar, dënon si banditesk gjobvënien nga Policia për televizionet”.

Ndërsa medieve, PD-ja i bën thirrje që të mos heshtin, ”por të ngrenë zërin dhe të denoncojnë diktatin dhe çensurën e çdo forme që përdor qeveria kundër fjalës së lirë”.

Deklarata e plotë e PD-së

Në një akt të paprecedentë, policia gjobit mediat që transmetojnë direkt komisionet në Kuvendin e Shqipërisë, në përpjekje për të bërë transparencë dhe për të informuar publikun.

Në kohën kur policia po gjobit furgonët e transmetimit, të vendosur në trotuarin poshtë kryesisë së Kuvendit, mediat po transmetonin direkt Komisionin e Arsimit, ku po denoncohej mungesa e dëftesave për 420 mijë nxënësve, si dhe Komisioni i Ekonomisë, ku po faktohej pastrimi i parave të drogës në ekonomi.

Historikisht, mediat kanë transmetuar live nga i njëjti vend me mirëkuptimin e Kuvendit, i cili nuk u ka krijuar kushte televizioneve që të transmetojnë direkt pa u gjobitur me 50 mijë lekë. PD, duke i bërë thirrje Kuvendit që të krijojë kushtet normale që televizionet të transmetojnë me cilësi dhe të pacensuruar, dënon si banditesk gjobvënien nga Policia për televizionet.

PD beson se gjobvënia ndaj mediave është e qëllimshme, që t’i detyrojë ato të ndërpresin transmetimet nga Kuvendi i Shqipërisë. PD u bën thirrje mediave të mos heshtin, por të ngrenë zërin dhe të denoncojnë diktatin dhe çensurën e çdo forme që përdor qeveria kundër fjalës së lirë.