Negociatat, Gjosha me deklaratë të fortë: Shqipëria penalizoi Maqedoninë

Ish-Ministrja e Integrimit Klajda Gjosha ka bërë një deklaratë të fortë duke u shprehur se Shqipëria është bërë pengesë për Maqedoninë, pasi për të dy vendet është menduar që negociatat të hapen në paketë, por sipas saj Tirana dështoi duke penalizuar arritjet e Shkupit.
“Zgjedhjet do të jenë në maj të vitit që vjen dhe nëse mendohet se këshilli do të mblidhet në qershor. Shqipëria dhe Maqedonia do të shkojnë bashkë në paketë, fatkeqësisht e ka penalizuar Shqipëria. Maqedonia ka bërë shumë hapa para, çështjen e emrit e zgjidhi.
Zaev rrezikoi deri diku edhe jetën e tij për marrëveshjen dhe Maqedonia nuk e meritoi këtë tërheqje. Shqipëria është bërë pengesë këtë vit edhe për Maqedoninë” tha Gjosha në Report Tv.

Në njëfarë mënyre defacto po nisim hapjen e negociatave, formalisht do hapen vitin tjetër por defacto me këtë takim ne nisim punën përsa I përket hapjes së negociatave.

Kemi një periudhë kohe tashmë që e dëgjojmë çështjen defacto që janë çelur negociatat, por as defacto dhe as dejure nuk janë çelur negociatat. Për të gjithë ata qytetarë të cilët sadopak mundohen të kuptojnë se çfarë ndodh me këtë proces, negociatat i takojnë një faze tjetër kur në rradhë të parë duhet të kalojnë me atë procesin formal nëse do duhet ta quajmë kështu, ku sërish Komisioni Europian do duhej të japë rekomandim pozitiv për çeljen e negociatave të Shqipërisë. Sërish do duhet të kalojë vendimmarrja në Këshillin Europian mes vendeve anëtare dhe mos të harrojmë tashmë kemi dhe një hall të shtuar  ku përpara se vendimi të shkojë në Këshill do duhet të kalojë në parlamentet e vendeve anëtare.Gjë kjo që ndodh për herë të parë në procesin e integrimit, jo vetëm të Shqipërisë por të të gjithë vendeve të cilat kanë qenë aspirante apo që janë dhe para Shqipërisë si Serbia dhe Mali i Zi. Dhe për Shqipërinë është hera e parë që do të kalojë vendimi në parlamentet anëtare. Kjo do të thotë që përgjegjësia për këtë proces është jashtëzakonisht shumë e madhe tashmë. Unë nuk habitem fare nga tryeza të tilla, as nuk më emocionojnë tu them të vërtetën sepse kam qenë pjesë e shumë tryezave. Ajo që është për të ardhur keq është fakti që një bashkëbisedim normal me Komisionerin Hahn, një bashkëbisedim teknik deri diku, për të kuptuar se çfarë do të ndodhë dhe çfarë duhet të bëjë Shqipëria për të plotësuar kushtet, kthehet në një propagandë dhe show të jashtëzakonshëm. Mua një propagandë e tillë dhe shpenzime të tilla buxhetore që shkojnë për të zbukuruar sadopak imazhin e kryeministrit por jo për të ndihmuar procesin e integrimit, në fakt shkojnë në dëm të këtij procesi.Përsa kohë kemi propagandë të tillë aq të madhe,tavolina të zbukuruara shpesh herë këto janë ballkanase pak a shumë, për të mos thënë që në stilin tamam shqiptar të kryeministrit tonë. Por nëse do të kishim në ato tryeza një kryeministër europian, takimi nuk do të ishte LIVE, por në zyrë, jo me të gjithë ministrat por me ministrin kryesor dhe me një pjesë shumë të rëndësihme brenda ministries së europës dhe punëve të jashtme. Ata njerëz të cilët janë ekspertë të kësaj fushe për të zbërthyer të gjithë procesin dhe në rradhë të parë kushtet që ka Shqipëria dhe udhërrëfyesin që duhet të ndjekë vendi ynë deri në hapin tjetër që do të jetë vendimmarrja për çeljen e negociatave. Dhe këtu në fakt u ndal dhe Hahn i cili foli më shumë se kryeministri i cili foli për çdo gjë tjetër por nuk foli për kushtet dhe nuk foli për problematikën të cilën mbart vendi ynë.

Do doja ta nisja me një deklaratë fillestare të Hahn, ai tha po e nisim procesin për të mos humbur kohë, përpara se të na vijë ftesa në vjeshtë. Çfarë është kjo ftesë në vjeshtë sepse ne të paktën kështu na është thënë që në qershorin e vitit tjetër do të na jepet ftesa. Po vjeshta është përtej shtatorit, çfarë do të thotë kjo deklaratë e Hahn?

E para, Shqipëria ftesën për në BE e ka që në momentin që ka nënshkruar marrëveshjen e stabilizim-asociimit dhe është bërë pjesë e këtij procesi të gjatë teknik. Që do të thotë që nuk është një ftesë që vjen tashmë dhe i dhurohet kryeministrit Rama për punën e mirë që ai mund të ketë bërë. Kjo nuk ekziston, pra duhet të qartësohemi këtu dhe të jemi të qartë për procesin. Përsa i përket vjeshtës, unë e kam thënë këtë dhe në momentin që u mblodh Këshilli dhe ku qeveria filloi të festonte se më në fund kemi datën e negociatave e kështu me rradhë.Qershori në fakt nuk ishte datë negociatash, ishte një datë ku mendohej që Këshilli Europian mund të mblidhet për të ridiskutuar nëse Shqipëria ka përmbushur kushtet apo jo. Dëgjojmë tashmë që mund të jetë në vjeshtë.

Pra Këshilli nuk mblidhet më në qershor vitin tjetër por në vjeshtë?

Mund të mblidhet në qershor dhe duke pare se çfarë vendos Këshilli i qershorit do të vendos më pas një datë të mundur për çeljen e negociatave të Shqipërisë, nëse gjithmonë ne kemi plotësuar ato kushte që tashmë i kemi në tryezat tona. Por problematika më e madhe është fakti që , Komisioni Europian, Parlamenti Europian të gjitha institucionet, kalojnë në një fazë zgjedhore, që do të jenë dhe ata në zgjedhje ashtu sikurse do të jemi dhe ne në zgjedhjet tona lokale dhe ne e dimë shumë mirë që fatkeqësisht në Shqipëri sa herë ka zgjedhje puna kryhet deri në dhjetor dhe nga janari deri në gjysmën e vitit nuk kemi asnjë individ i administratës i cili është i fokusuar në punën e përditshme dhe në statusin që ai duhet të ketë. Dhe ky është problem shumë i madh për Shqipërinë. Çfarë do të ndodhë, ne mund të përgatisim një raport për KE por nuk do të ketë komision europian aty prezent  apo përfaqësues të KE që të mund të dorëzojnë këtë raport të Shqipërisë pranë vendeve anëtare të cilat do duan më pas të shqyrtojnë gjithë procesin e integrimit.

Komisioneri Hahn vitin tjetër nuk është më?

Mbaron mandatin e tij dhe do të kemi një komisioner të ri për zgjerim apo varet sesi do të vendoset emri i Komisionit. Do të kemi zgjedhjet që besoj do të jenë në maj të vitit që vjen dhe nëse do të mendohej që Këshilli do të mblidhet në qershor imagjinoni se çfarë hapësire boshe që do të jetë në të gjithë përfaqësuesit e lartë të KE, të cilët jo vetëm raportojnë por bëjnë dhe takime të njëpasnjëshme me vendet anëtare për ti bindur dhe për ti shtyrë ata deri diku, të japin një dritë jeshile për Shqipërinë apo dhe për Maqedoninë sepse tashmë kjo do të shkojë paketë. Shqipëria nuk mund të votohet e vetme.

Do të thotë që dy vendet ose shkojnë bashkë ose rrinë kështu siç janë?

Duke e parë në një politikë të gjerë, unë besoj që dhe Shqipëria dhe Maqedonia do të shkojnë bashkë, është e pamundur të ndahen dhe fatkeqësisht Maqedonia është penalizuar këtë verë. E ka penalizuar Shqipëria. E kam thënë sepse unë mendoj që Maqedonia ka bërë shumë hapa para. Të vetmin kusht madhor që ka patur ndërvite, çështjen e emrit  tashmë e ka ezauruar, pra ka arritur të lidhë një marrëveshje me Greqinë.Mendoj që kryeministri i Maqedonisë ka shkuar përtej pritshmërive dhe të partisë politike që ai përfaqëson por dhe të qytetarëve. Dhe ka rrezikuar deri diku dhe jetën e tij për të lidhur këtë marrëveshje. Mendoj që sakrifica ka qenë shumë e madhe dhe Maqedonia nuk e ka merituar këtë tërheqje pas që fatkeqësisht i ka bërë Shqipëria.

Po thoni që ne jemi bërë peng për mosintegrimin e Maqedonisë?

E vërteta qëndron që Shqipëria është bërë pengesë e madhe këtë vit edhe për Maqedoninë.

Në fakt deklaratë e fortë nga një ish-ministre e integrimit, megjithatë do doja tu theksoja një tjetër pikë që përmend Hahn Ai ka folur sot për njerëz me përvojë në administratë, duke qenë se procesi do të jetë shumë teknik, shumë i koklavitur. Ju keni qenë për 4 vite ministre e integrimit. Në çfarë niveli është administrata jonë në raport me integrimin?

Unë mund të kem qenë ndër të vetmit individ që të paktën gjatë vitit të fundit kam folur pafund për rëndësinë që ka administrata publike në procesin e integrimit. Janë njerëzit ata që e bëjnë procesin e integrimit. Ne mund të kemi institucione, fasada shumë të bukura të institucioneve tona por nuk kryhet dot procesi në këtë mënyrë.Janë aftësitë e njerëzve, ekspertiza që ato kanë, profesionalizmi ato që do ta çojnë Shqipërinë përpara në këtë proces. Në fakt nuk është as vetë kryeministri dhe as ministrat që janë në atë tryezë, sepse ata janë koordinatorë, janë politikë dhe nuk janë ekspertë të mirëfilltë të fushave apo sektorëve përkatës. Ndaj dhe unë kam ngritur zërin që në momentin e parë që kryeministri me ardhjen e tij në shtator të qeverisë së re, shkatërroi në njëfarë mënyre gjithë reformën në administratën publike që me aq shumë mund, me të metat dhe të mirat e veta, ne arritëm të ndërtonim në një vend ku nuk është e thjeshtë. Sepse duhet të ndryshosh njëherë mentalitetin për mënyrën sesi punësohen njerëzit në administratë dhe duke qenë jo aq e thjeshtë sa çduket për mua ishte fatale fakti që kryeministri shkatërroi të gjitha ministritë, të gjitha institucionet përfshirë këtu edhe sektorët kyç të cilët ishin koordinuesit kryesor të procesit të integrimit europian brenda atyre ministrive duke mos përmendur këtu dhe atë që ishte umbrella e madhe që ishte pikërisht ministria e integrimit europian me 117 persona jo të emëruar nga Klajda Gjosha, ishin njerëz të emëruar dhe që kanë themeluar atë proces dhe atë ministri që kur ajo është krijuar.

Si është pritur nga Brukseli ky strukturim, kjo shkrirje e ministrisë?

T`ju them të vërtetën nuk është pritur mirë.

Është caktuar zëvendësministri i ri i Jashtëm i cili do merret dhe me çështje teknike krahas ministrit Bushati.

Ky nuk është një vendim i pritur mirë as nga diplomatët këtu në Tiranë. Ishte një mesazh i gabuar i dhënë në momentin e gabuar. Pra, në ato momente ku Shqipëria duhej të punonte për të plotësuar kushtet për çeljen e negociatave, shkon dhe shkatërron një nga Ministritë më kryesore me njerëzit më ekspertë që mund të kishte ky proces. Kjo ishte e pafalshme dhe nuk ishte pritur. Madje, ka pasur shumë presione dhe Kryeministri, por më pas mënyra se si u krijua kjo struktura brenda ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, nuk ka qenë normale. Kritika ka edhe sot që ne flasim, madje ndoshta jo vetëm për median, por edhe në takimet e shpeshta që përfaqësuesit e Komisionit Evropian kanë me përfaqësuesit shqiptarë, shpeshherë përmendet fakti se ka mungesa të theksuara të ekspertizës dhe  profesionalizmit. Sot, mungojnë të gjitha drejtoritë e integrimit evropian nëpër ministritë e caktuara. Unë në çdo komision të z. Bushati e kam ngritur këtë çështje duke thënë se presioni më i madh që ai duhet të bëjë si koordinator kombëtar i këtij procesi, do duhej në fakt të ngrinte ato njësi që kanë qenë të akredituara nga BE. Pra, kanë qenë njerëz ku BE ka investuar, ka paguar paratë e taksapaguesve për t`i trajnuar ata, për t`i bërë ekspertë dhe më pas për të vazhduar më një lloj standardi që e kërkojnë ata. Çfarë kemi ne një problem tjetër? Përkthimi i legjislacionit është një çështje tjetër madhore, e cila i mungon vendit dhe ka procedura të jashtëzakonshme për të arritur aty. Mos të them që nuk ka përkthyes profesionistë që nuk e njohin legjislacionin evropian. Sot, kryeministri foli për disa hapa që ai duhet të ndërmarrë në këtë 9 mujor, ku bëri një deklaratë bazuar mbi strategjinë e negociatave dorëzuar nga Ministria e Integrimit Evropian që në vitin 2016. Ka qenë me këmbënguljen time që ajo strategji të fillonte të implementohej që në atë vit sepse Shqipëria nuk kishte kohë për të humbur. Pra, paralelisht me reformat do duhej të ngrinte të gjithë platformën e saj koordinuese dhe të bëhej gati me ekipet negociuese. Unë madje kam pasur retorika shumë të forta me Kryeministrin për të ndryshuar misionin tonë në Bruksel, ku misioni është porta pritëse.

Rama ka thënë që do shtohet stafi i këtij misioni. Ju e keni kërkuar që në atë kohë. Pse ka qenë kjo përplasje më Kryeministrin?

Jo vetëm që do shtohet. Po, e kam kërkuar. Kryeministri donte që ta kishte një triumf të vetin, ku fatkeqësisht politika luan me procesin e integrimit. Unë gjithnjë jam munduar ta shmang dhe të ndajë procesin me politikën, nuk e kam bërë kurrë. As edhe sot nuk e bëj, që jam në opozitë dhe jam shumë e kujdesshme me mënyrën se si i drejtohem qeverisë apo nuk politizoj çështje që janë të lidhura me integrimit, por të thuash që në 9 muaj do realizoj diçka që do duhej të ishte bërë në disa vite kohore, aq më tepër në një vend si Shqipëria ku gjerat nuk janë të gatshme dhe do të duhet kohë të trajnosh shumë njerëz, mendoj që ne jemi shumë të vonuar. Unë do isha shumë e lumtur t`ju vija në dispozicion atë strategji të dorëzuar nga Ministria e Integrimit në atë kohë, e cila është fjalë për fjalë ajo që tha sot Kryeministri. Unë e falënderoj që ai ka folur për strategjinë, por i them që është realisht shumë i vonuar dhe në 9 muaj do ta ketë të pamundur ta realizojë.

Doja një mendim nga ju. Ose nuk ka vlerë ky Komision Evropian që thotë jeni gati për të hapur negociatat, ose vendet e tjera kanë një problem me Shqipërinë? Pse nuk ka një qasje të mirë mes komisionit dhe vendeve anëtare?

Unë mendoj që po të lexoni rekomandimit që ka dhënë Komisioni Evropian, do kuptoniqe çdo anëtar është i lirë të gjejë kushtet e veta, bazuar mbi problematikat shpeshherë bilaterale që ato kanë me Shqipërinë apo vendet e tjera. Në këtë rast me Shqipërinë, po të shikojmë Franca ka problemin e azilkërkuesve. Po të shikojmë është prapë pjesë e raportit të Komisionit Evropian si një çështje madhore e mbartur për Shqipërinë. Holanda ka çështjen e krimit të organizuar për të mos përmendur faktin që një nga çështjet më madhore është reforma në drejtësi e cila ndiqet në çdo hap për mënyrën si ajo implementohet. Dhe kryesisht, procesi i vetingut që është dhe zemra le të themi e gjithë reformës në drejtësi. Italia nga krahu tjetër ka pasur çështje me Shqipërinë, për çështjen e minoreneve, trafikun e qenieve njerëzore, trafikun e drogës e kështu me radhë. Pra janë një sërë çështjesh të cilat janë kushte si në raportin e Komisioni Evropian ashtu dhe në vendet anëtare.

Atëherë pse rekomandohet hapja e negociatave?

Sepse Shqipëria është një vend me rrezikshmëri të lartë, që do të thotë se nëse këtë vend nuk e bëjnë pjesë të kornizës evropiane, të kornizës së rregullave dhe standardeve me të cilën funksionon BE, Shqipëria mund të kthehet nga një vend i cili eksportonte stabilitet në gjithë vendet e rajonit, por edhe për vetë BE, mund të kthehej në një vend i cili rrezikonte stabilitetin duke u kthyer në një qendër shumë herë më të madhe të krimit të organizuar, trafikut të drogës. Të gjithë atyre që në fakt, janë prioritetet madhore, 5 prioritetet kyçe të vendosura nga KE. Ndaj dhe ne duhet të bëjmë shumë herë kujdes kur flasim për këto çështje. Sot po të shikonit, në dy deklaratat, unë i ndoqa me shumë vëmendje, komisionari Hahn ishte shumë konkret. Ai foli për reformën në drejtësi, foli për vetingun,foli për të gjitha çështjet që i shqetësojnë vendet anëtare, foli për trafikun e drogës, për çdo gjë. Ndërsa kryeministri ynë bëri shoun e radhës, kur mbaron ky takim dhe nesër i kthehemi propagandës politike, mashtrimeve të radhës e kështu me radhë. Nuk funksionon kështu procesi i integrimit, është shumë teknik, është shumë institucional dhe kërkon seriozitet.

Komisioneri Hahn e vlerësoi vetingun, por kuptoi që paska nevojë për nevojë për magjistratë të rinj që duan dhe votën e opozitës.

Mua më vjen keq që komisionari Hahn nuk është informuar për këtë çështje, që ka nevojë për magjistratë të rinj që të vazhdojë gjithë ky proces. E dyta, do duhej të ishte informuar që këto magjistratë të rinj do duhen të emërohen nga dy institucione të reja siç janë KLGJ dhe KLP që ende nuk janë ngritur.

Në mungesë të tyre kërkohet një ndërhyrje ligjore të cilën shumica ua ka sjellë në tryezë.

Që kthen mbrapsh gjithë procesin e reformës, pra reformën e re dhe model.

Kërkohet një ndërhyrje në ligj vetëm për një vit.

Jo nuk kërkohet për një vit, kërkohet pa afat. Dhe ky ka qenë ngërçi i gjithë debatit që ka patur opozita me mazhorancën. Ndërkohë që LSI ka dorëzuar në tryezën e mazhorancës dhe komisionit të ligjeve amendimet pikërisht në këtë pjesë, për të thënë që, dakord do vazhdojnë të emërohen nga Këshillit i Lartë i Drejtësisë, por për sa kohë, do vendosim një afat 3 mujor? Se çfarë ndodhi me Kryeprokuroren e Përgjithshme të Përkohshme që u votua në 18 dhjetor? U tha që do të jetë e përkohshme vetëm për një periudhë 4-mujore dhe më pas do shkojmë në zgjedhjen e Kryeprokurorit. Çfarë jemi sot? Edhe sa kohë do duhet të kalojë për të zgjedhur Kryeprokuroren? Edhe sa kohë do duhet të kalojë për të ngritur institucionet e reja të drejtësisë të cilat më pas do të fillojnë të zhbllokojnë dhe gjithë reformën. Unë nuk e di se çfarë ka diskutuar Ministrja e Drejtësisë kur ka shkuar në Gjermani apo në vendet e tjera për të lobuar për reformën në drejtësi dhe për çështjen e negociatave. Çfarë i thoshte? Që Shqipëria është një vend që nuk ka Gjykatë Kushtetuese, që Shqipëria është një vend që i mungon Gjykata e Lartë, që shumë shpejt ne do të kemi një bllokim të Gjykatës së Apelit, ku do të bllokohen me mijëra çështje madhore që nuk i ka politika, por i kanë qytetarët e thjeshtë të këtij vendi. Ky është një shtet kolaps në këto momente. Unë kam një pyetje për PS: përse nuk pranojnë të vendosin afat për këtë çështje? Përse nuk pranon të vendosen afate për këtë çështje? Ne mezi presim që ata magjistratë të rinj të bëhen pjesë e sistemit dhe të ndryshojnë mentalitetin se si funksionon drejtësia shqiptare.

Pra, i gjithë ngërçi është tek afati? A ka negociata?

Po, patjetër që ngërçi është tek afati. Tashmë nuk ka më negociata për një arsye fare të thjeshtë, sepse edhe në momentet kur ne do të vazhdonim diskutimet tona në Komisionin e Ligjeve, ky komision i mbylli punimet e asaj dite, pra nuk pranoi të diskutonte me opozitën. Por, solli propozimin direkt në Parlament për votim duke kërkuar 84 vota, gjë që është jo normale, sepse ti o do të shkosh me blerje votash dhe thua ‘nuk do diskutojmë më me asnjërin prej jush’, ose do të ulesh në një bisedë serioze dhe të sinqertë për të arritur në një marrëveshje për ta votuar atë të gjithë së bashku, sepse Reforma në Drejtësi lindi në frymën konsensuale. Fakti që u votua me 140 vota, unë besoj që është shumë dhe duhej ruajtur një konsensus i tillë.

Znj. Gjosha, ju ka humbur një deputet, që është z. Bitri, i cili ka votuar shpeshherë në favor të Partisë Socialiste. A janë deputetët e tjerë tuaj në kontrollin e LSI-së?

Kjo nuk është çështje kontrolli. Ne jemi të zgjedhur aty. Është një ekip i jashtëzakonshëm shumë aktiv, shumë herë më aktiv edhe sesa dy partitë e mëdha për çështje madhore dhe prioritete kombëtare që ka vendi ynë. Jemi shumë kompakt. Besoj që ju e keni parë që votat tona kanë qenë gjithmonë on-block. Gjithë pjesa tjetër pastaj, çdokush është i lirë të zgjedhë. Opozita tashmë është në misionin e saj, në detyrën e saj dhe më besoni që sa do të vijë dhe do të rrisë presionin e saj ndaj qeverisë.

Znj. Gjosha, ju kur i parashikoni hapjen e negociatave, me gjithë këto probleme që ne kemi? Pra, viti i ardhshëm a është një vit kur do të hapen negociatat, apo do të jetë një vit që do të shpresojmë? Si e gjykoni procesin?

Unë  nuk jam shumë optimiste për vitin 2019, për shumë arsye, sepse tashmë përveç atyre pesë prioriteteve kyçe, kemi edhe dy prioritete që dallohen qartë në konkluzionet e Këshillit Evropian, kanë të bëjnë pikërisht me zgjedhjet, Reformën Zgjedhore, e cila ende sot e kësaj dite që flasim, disa bisedime mund të kenë nisur por nuk ka një dakordësi se si ajo do të vazhdojë. Mos harrojmë që kemi zgjedhjet lokale përpara dhe do duhet që të implementohet Reforma Zgjedhore pikërisht pas pak muajsh në zgjedhjet lokale. Do të shihet edhe si një projekt pilot për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Ky është një problem i jashtëzakonshëm tashmë, sepse ka 5 vjet që kërkohet kjo reformë dhe dy partitë e mëdha kanë hasur në ngërçe të dakordësive për mënyrën se si do të shkohet në këtë reformë. Ne diskutojmë për votim elektronik dhe çështje të tjera, por përsa kohë që ne nuk kemi zgjidhur çështjen e shit-blerjes së votës, kjo nuk qëndron. Pra, nuk ka rëndësi se si votohet kur vota është e blerë.

Është folur për takime informale mes dy bashkëkryetarëve dhe kur ka takime të tilla, gjithmonë në kurriz e ha LSI-a. A keni ndonjë informacion se çfarë po ndodh?

Të jeni të bindur që LSI-në kur nuk e mposhti sistemi zgjedhor i 2009-s, i cili u bë enkas për të arritur këtë gjë, ajo triumfoi me 19 mandate sot, të fituara me shumë punë, LSI-a do të vazhdojë të jetë edhe shumë herë më mirë se ç’ka qenë në zgjedhjet e shkuara, pavarësisht sistemit dhe mënyrës se si do t shkohet deri aty.

Po në raport me Partinë Demokratike cila është marrëdhënia juaj?

Është një bashkëpunim shumë i mirë. Është një bashkim forcash opozitare për të larguar në fakt kryeministrin, që është sot, për të larguar qeverinë. Dhe unë mendoj që ne jemi të vendosur në këtë prioritet që ne kemi që nuk buron nga partitë tona por buron nga qytetarët. Është një kërkesë e drejtpërdrejtë e tyre nga taksat që po i rëndojnë çdo ditë në xhepa, nga papunësia, problemet ekonomike, të biznesit e kështu me radhë. Dhe ne do të jemi në ballë të frontit të qytetarëve.

Hahn foli për fokus në kapitujt 23 dhe 24. Çfarë janë këto kapituj?

Këto dy kapituj kanë të bëjnë me shtetin e së drejtës. Pra reforma në drejtësi është pjesë e rëndësishme. Ka të bëjë  më të drejtat themelore të njeriut, e drejta e pronës (që është një problem i madh në vendin tonë dhe çështje ende e pazgjidhur). Janë kapituj që kanë nisur me  Ministrinë e Integrimit, edhe pse në atë kohë nuk kishte çelje negociatash. Puna ka nisur në bashkëpunim të plotë me KE-në, madje ne ngritëm edhe grupet e punës, të cilët pa a shumë filluan të negocionin. Është një punë që Ministria në atë kohë nuk e ndali asnjë moment. Ka qenë një punë e përditshme që ka bërë Ministria e Integrimi Evropian, që do të duhet të bënte sot Ministria për Evropën. Nuk duhet të shohim më flamuj triumfi që marrin kryeministrat apo ministrat sikur çfarë është bërë. Është bërë një punë që na takon për qytetarët tanë dhe jo për integrimin.

Cili mund të jetë kontributi i opozitës në këtë vit themelor për integrimin?

Unë mendoj që duke e vendosur para përgjegjësisë qeverinë, duke qenë shumë kërkues në këtë proces dhe patjetër duke dhënë kontributin tonë. Duke qenë konstruktivë për çështjet madhore. Është detyrë e të dyja palëve për të bashkëpunuar dhe për të bashkërenduar këtë punë. Një gjë dihet se tashmë është e pamundur. Me këtë Kryeministër dihet që dialogu politik është i vrarë që në fillim. Ndaj edhe ka ngërçe kaq të mëdha procesi sot.