Homazhet, dhimbje e lot për ikonën e humorit Fadil Hasa (FOTO)

Në Teatrin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit, po mbahen homazhet në nder të aktorit të madh të humorit, Fadil Hasa, i cili u nda nga jeta një ditë më parë, pas një sëmundje të rëndë në mushkëri. Në homazhe marrin pjesë familjarë, të afërm, miq dhe kolegë të aktorit të njohur durrsak, të cilët sot do t’i japin lamtumirën e fundit mes lotëve.

Në fillim të viteve ’90 doli në pension të parakohshëm dhe pjesëmarrja e tij në skenë dy dekadat e fundit u reduktua për shkak të qëndrimit kritik që aktori mbante ndaj teksteve shpesh komerciale të humorit, që për të ishte arti i të nxjerrit në pah të veseve të shoqërisë.

Në mendjen e publikut do të mbeten të paharrueshme rolet e tij te pjesët “Dajrja”, “Sheqeri”, Tekniku i lavatriçes”, skeçet e shumta, si dhe rolet në kinematografi ku veçojmë ato në filmat “Mao Ce Dun” (2007), “Kronikë provinciale” (2009) dhe “Zëvendësi i grave” (1987).

Në edicionin e 13 të Festivalit Mbarëkombëtar të filmit, Fadil Hasa u shpall “Aktori më i Mirë”, për rolin Hekuran Romalinit te luajtur në filmin “Mao Ce Dun”.